KD i UP-së jep detaje për shkarkimin e rektorit
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës ka bërë të ditura detajet e mbledhjes së sotme ku me shumicë votash u shkarkua rektori i Universitetit, Naser Sahiti.
Sipas Këshillit Drejtues të UP-së në mbledhjen e sotme pikë e rendit të ditës ishte vlerësimi i performancës dhe përmbushjes së detyrave të menaxhmentit të lartë sipas përcaktimeve të ligjeve dhe statutit në fuqi, dhe vendosja për përgjegjësinë institucionale sipas gjetjeve të KD-së.
Në komunikatë, KD i UP-së ka treguar se paraprakisht është kërkuar nga rektori Sahiti që të përgatiten të dhënat lidhur me çështjet që tregojnë performancën e menaxhmentit të lartë në UP dhe të diskutohen në takim si: "përsëritja e të gjeturave të auditorit, mos-adresimi i çështjeve përmes planit të veprimit, vazhdimi si ushtrues detyre të ish-Sekretarit të Përgjithshëm pa njoftim të Këshillit Drejtues, mungesa e strategjisë për ndërkombëtarizim të UP-së, mosadaptimi i praktikave të ndryshme ndërkombëtare, të cilat do të përshtateshin në funksion të përmirësimit të cilësisë në përgjithësi dhe ndjekjes së trendit global të dijës, mos-adresimi i rënies së vazhdueshme të numrit të studentëve, mos-adresimi dhe mos-përmbushja e vendeve të lira të punës, ku mbi 50% e vendeve të punës në Administratën Qendrore janë të paplotësuara, probleme dhe jo transparencë në publikimin e shpenzimeve, e në veçanti problemeve që lidhen me prokurimin publik, lejimi i marrjes së mbi-normave për staf akademik, duke mbyllur Universitetin për rekrutime të reja në staf akademik njëkohësisht duke i vështirësuar programet në akreditim, rënia në rangimin e WEBOMETRICS si dhe çështje tjera të ngritura nga KD”.
Por, siç thonë ata meqë rektori nuk ishte prezent në takimin e sotëm sipas ftesës për raportim në lidhje me angazhimin e tij dhe argumentimin e përpjekjeve për përmirësim të performancës, KD me shumicë absolute votash, 8 për e 1 abstenim, mori vendim për shkarkimin e tij.
Gjithashtu, thuhet aty se ditën e hënë më 24 tetor hapet konkursi për zgjedhje të rektorit të ri, duke respektuar të gjitha dispozitat ligjore në fuqi.
Prandaj, thuhet tutje në komunikatë, me qëllim të shmangies së vakumit institucional, KD-ja po në këtë takim me vota unanime ka emëruar Luljeta Plakolli Kasumin, si ushtruese të detyrës së rektorit deri në përmbylljen e procesit të konkursit.























