Meloni betohet sot si gruaja e parë kryeministre e Italisë
BKT
Në Fokus

Meloni betohet sot si gruaja e parë kryeministre e Italisë

rtsh.al

Giorgia Meloni , liderja e ekstremit të djathtë, do të betohet sot si kryeministrja e parë grua e Italisë duke formuar qeverinë. Meloni fitoi zgjedhjet në një fushatë të ndërtuar rreth një premtimi për të bllokuar anijet e emigrantëve dhe mbështetje për "vlerat familjare" tradicionale dhe temat anti-LGBTQ.

Ajo kryeson një aleancë të partive të ekstremit të djathtë dhe të qendrës së djathtë dhe do të formojë qeverinë më të djathtë që Italia ka parë në dekada.

Fitorja e Melonit në zgjedhjet parlamentare në shtator tregon se “joshja e nacionalizmit mbetet e pandërprerë në Itali”, por zotimi i saj për ta çuar vendin në një kthesë të fortë djathtas krijon shumë pasiguri se çfarë do të ndodhë më pas.

Qeveria e re përbëhet nga një koalicion me dy liderë të tjerë të krahut të djathtë. Njëri është Matteo Salvini, një ish-ministër i brendshëm, dhe tjetri është Silvio Berlusconi, ish-kryeministri italian i qendrës së djathtë.

Të dy burrat kanë shprehur publikisht admirim për presidentin rus Vladimir Putin, gjë që ka ngritur pikëpyetje se cila do të jetë qasja e koalicionit ndaj Rusisë.

Vetë Meloni, e cila ka qenë një mbështetëse e fortë e Ukrainës, u përpoq të sqaronte se ku do të qëndronte qeveria e saj.

“Do të jem gjithmonë e qartë, kam ndërmend të drejtoj një qeveri me një politikë të jashtme të qartë. Italia është plotësisht pjesë e Evropës dhe e Aleancës Atlantike. Kushdo që nuk është dakord me këtë gur themeli, nuk do të jetë në gjendje të jetë pjesë e qeverisë. Me ne që qeverisim, Italia nuk do të jetë kurrë lidhja e dobët e Perëndimit”, tha ajo.

 


MË SHUME NGA Në Fokus