Mehaj: Nuk ka stabilitet pa përfshirjen e grave në sektorin e sigurisë
BKT
Lajme

Mehaj: Nuk ka stabilitet pa përfshirjen e grave në sektorin e sigurisë

E.Hoti/RTKlive

Ministri i mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se nuk do ketë stabilitet të qëndrueshëm pa përfshirjen e grave në sektorin e sigurisë.

Në forumin "Women, Peace, Security", me temën " Agjenda për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, nën dritën e vazhdueshme të ndryshimeve të arkitekturës së sigurisë", Mehaj ka thënë se gratë shumë gjatë kanë qenë jashtë dialogut për sigurinë. Ai ka thënë se synojnë që kësaj t’i japin fund.

Mehaj ka thënë se gratë kanë dhënë kontribut në periudha të vështirë të kombit tonë, qoftë si luftëtare në mbrojtje të territorit, si mjeke, infermiere, e vullnetare, ato kanë shpëtuar mijëra jetë.

Ai ka deklaruar se ishin gratë dhe vajzat ato të cilat i kanë vuajtur mizoritë e luftës.

“20,000 është numri i viktimave të sulmeve seksuale në Kosovë, ngase ashtu siç sot po ndodhë në Ukrainë, agresori këtë lloj torture fizike e psikologjike e ka përdorur si armë lufte. Prandaj, për gratë në një shoqëri ku ende vazhdon stigmatizmi periudha pas konflikteve është tejet e rëndësishme. Ato nuk duhet të jenë viktima të heshtura, por kanë nevojë për qasje në drejtësi, që është më shumë se vetëm ligj, është sistem, është gjithçka që vjen pas luftës”, ka thënë Mehaj.

Sipas tij, integrimi i grave në siguri është çështje e rëndësishme. Ai ka thënë se Ministria e Mbrojtjes ka bërë përpjekje maksimale për përfshirjen e grave në FSK.

“Aktualisht, në Forcën e Sigurisë së Kosovës 11,3% janë gra, që duke marrë parasysh se jemi një shtet i ri nuk qëndrojmë keq, megjithatë synimi ynë është që përqindja e përfshirjes së grave në ushtri të rritet, sepse Forca duhet të reflektojë përbërjen e popullit dhe sepse besojmë thellësisht se si burrat dhe gratë e duan atdheun dhe janë në gjendje të luftojnë e vdesin për të”, ka shtuar ai.

Mehaj tha se synimi për rritjen e numrit të grave në ushtri është i vështirë, ngase sipas tij ushtria ende konsiderohet si vend për burrat.

“Padyshim që realizimi i këtij synimi është i vështirë ngase ushtria ende konsiderohet si vend për burrat, kjo edhe për shkak të vështirësive në planifikimin familjar, oraret e zgjatura të punës, kujdesin ndaj familjarëve, dhe rastet e ngacmimeve, megjithatë vullneti ynë është i hekurt në këtë drejtim”, ka thënë Mehaj .

Ai tha se për të eliminuar pengesat do të marrin masat që përbërja e secili bord përzgjedhës të jetë e balancuar në aspektin gjinor.

 “Do të inicojmë projektin e mbështetjes familjare, kujdesin emergjent dhe ditor për fëmijët e ushtarëve me mision jashtë vendit, si dhe ri-evaluimin e detyrave për nënat e reja, të cilat krahas infrastrukturës ligjore që tashmë u’a granton Ministria e Mbrojtjes si:Procedurat e hapura të rekrutimit, pagë të njëjtë për gradë të njëjtë për të dyja gjinitë, ngritja në grada në bazë të meritokracisë, garantimin e zbatimit të Ligjit për pushimin e lehonisë dhe pushimin prindëror, dhe Ligjit për Mbrojtjen e të Ushqyerit me Qumësht Gjiri, duke u mundësuar pushime dhe pauza me pagesë, do të jenë elemente inkurajuese për integrimin e grave”, tha Mehaj.


MË SHUME NGA Lajme