Osmani: Jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme nga shteti i Maltës
RTKlive
(E plotësuar) Me ftesë të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, po qëndron për vizitë zyrtare presidenti i Maltës, George Vella, i cili po merr pjesë në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Presidentja Osmani dhe presidenti i Maltës, George Vella, pas takimit mbajtën konferencë për media. Osmani, tha se anëtarësi i Kosovës në Aleancën Veriatlantike dhe organizatat tjera ndërkombëtare është i domosdoshme. Ajo, tha se beson se e kemi përkrahjen nga shteti i Maltës, por këtë përkrahje e pret edhe nga vendet tjera.
“Kjo vizitë është edhe njëherë dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyeshme dypalëshe mes shteteve tona, ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme nga shteti i Maltës që nuk ka munguar asnjëherë në të gjitha fazat e shtetndërtimit të Kosovës”, tha Osmani
Presidentja Osmani tha se anëtarësimi i Kosovës në Aleancën Veriatlantike dhe mekanizma të tjerë të Evropës, është i rëndësishme edhe në dobi edhe të Bashkimit Evropian.
Vella: Malta mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën
Kurse presidenti i Maltës, George Vella pasi falënderoi presidenten Osmani për ftesën për të vizituar Kosovën, përgëzoi atë për organizimin e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që po mbahet në Prishtinë.
“Është kënaqësi të kthehem në Kosovë, ku isha edhe më parë, rasti i sotëm është shumë i mirë, sikurse që ishte edhe vizita e presidentes së Kosovës në Maltë. Shpresoj se në të ardhmen do të kemi bashkëpunim edhe më të madh”, shtoi ai.
Presidenti Vella, tha se beson në rrugën e Kosovën drejtë Bashkimit Evropian dhe mirëpret propozimin e Komisionit Evropian për liberalizim të vizave, pasi që Kosova, sipas tij, i ka përmbushur, para katër vitesh të gjitha kushtet të cilat i ka kërkuar Komisioni Evropian.
“Ne mirëpresim reformat që po bëhen, inkurajojmë Kosovën drejtë anëtarësimit në BE, dhe mirëpresim marrëveshjet e arritura për dialogun”, tha Vella. Ai foli edhe për situatën e krijuar në Ukrainë, duke shprehur mbështetjen e Maltës për këtë vend.
Osmani priti me ceremoni shtetërore presidentin e Maltës, George Vella

Qëndresa Duraku /RTK
Presidentja Osmani e priti me ceremoni shtetërore presidentin Vella. Ceremonia e pritjes u mbajt në sheshin “Ibrahim Rugova” ku u prit me gardën ceremoniale.
Presidentin e Maltës, George Vella, sot do ta pres edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.


Osmani pret sot me ceremoni shtetërore presidentin e Maltës, George Vella
N.M. /RTKlive
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu do ta pres sot, me ceremoni shtetërore presidentin e Maltës, George Vella, i cili po merr pjesë në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Bëhet e ditur se, ceremonia e pritjes do të mbahet në sheshin “Ibrahim Rugova”, ku do të pritet me gardën ceremoniale në orën 10:00.
“Mediat do të marrin pamje në pritjen ceremoniale dhe në fillim të takimit, ndërsa më pas Presidentja Osmani dhe Presidenti Vella do të mbajnë konferencë për media. Mediat e interesuara për përcjelljen e ceremonisë së pritjes si dhe pamjet nga takimi, duhet të jenë në Presidencë më së largu në orën 09:15”, thuhet në njoftim e zyrës për informim të Presidentes.























