Trashëgimia kulturore në Pejë, mundësi e mirë për turizëm|Video
BKT
Kulturë

Trashëgimia kulturore në Pejë, mundësi e mirë për turizëm|Video

Besjana Mulaj/RTK

Trashëgimia e pasur kulturore dhe fetare në Pejë tashmë është shndërruar në një mundësi të mirë të turizmit, e që mirëpritet nga vizitorët. Ka shumë prej tyre që pasi përfundojnë pushimin në bjeshkët e Rugovës ndalojnë te kompleksi i Haxhi Zekës, Xhamia e Bajrakut dhe Çarshia e Gjatë për t`u njohur më për së afërmi me historinë edhe trashëgiminë kulturore të Pejës.

Kompleksi i mullirit dhe hambari i Haxhi Zekës në Pejë është pikë  referuese e shumë vizitorëve. Rrëfimet për të kaluarën fillojnë nga oborri ku ruhet me shumë fanatizëm rrota e mullirit që daton nga gjysma e shekullit të 19-të, nga e cila janë furnizuar me miell edhe Plava dhe Gucia.

 “Fillimisht ka rënë uji në drejtim të rrotës dhe forca e ujit e ka vu atëë lëvizje, mandej uji ka depërtuar në kanal brenda ku kanë qenë tre gurë që e kanë bluar dhe boshti që e ka sjell. Në anën tjetër kanë qenë në çardak koshat ku janë hedhur drithërat dhe ka kalua në depo për ambalazhim”, tregon Besa Potoqani, menaxhere e kompleksit Haxhi Zeka në Pejë.

Ky objekt për të cilin thuhet se është industria e parë në Pejë ruan brenda vetes edhe shumë artefakte të tjera, historinë e të cilave e dëgjojnë rreth tre mijë vizitor në vit.

 “Mund të shkojë deri në tre mijë vizitorë se kemi edhe nxënës që vijnë, pastaj organizojnë vizita me tren nga qytetet e tjera dhe gjatë vizitës në Pejë, ndalen edhe këtu”, tha Potoqani.

Në mirëpritje të vizitorëve është edhe Bajrakli Xhamia dhe Çarshia e Gjatë që janë ikona të trashëgimisë kulturore të Pejës.

 “Kjo çarshi ekziston mbi 500 vite, objekti që e kemi përballë është më i vjetri. Është djegur por është munduar të ruhet karakteri i vjetër dhe ashtu është punuar edhe me pjesën tjetër të çarshisë”, thotë Bujar Nila, kryetar i Shoqatës së Zejtarisë në Pejë.

Xhenet Syka, drejtoreshë e kulturës në Pejë tha se shtegu kulturor i Pejës përbehet nga 13 pika turistike. “Janë histori në vete duke filluar nga diversiteti fetar dhe monumenti i vjetër i Patrikanës së Pejës, për të ndaluar tek Kisha Katolike Shën Katerina dhe së fundmi ndalojnë tek bërthama e Çarshisë së Gjatë që është edhe ikona e trashëgimisë kulturore te Bajrakli Xhamia, e cila ka minaren më të lartë në rajon”, tha Syka.

Për këtë vit Komuna e Pejës ka investuar në Kullën e Sheremetit, Konakun e Tahir Beut dhe Muzeun e Qytetit.


MË SHUME NGA Kulturë