Dështon zgjedhja e anëtarit të Bordit të RTK-së|Video
BKT
Foto arkiv/ RTKlive
Lajme

Dështon zgjedhja e anëtarit të Bordit të RTK-së|Video

M.Miftari / RTKlive

(E plotësuar, ora 16:50) Komisioni Votues, pas procedurës së votimit të fshehtë dhe numërimit të votave të deputetëve të Kuvendit për zgjedhjen e një (1) anëtari të Bordit të Radio Televizioni të Kosovës (RTK) nga komuniteti shqiptar, në seancën e pasdites , konstaton se votat e numëruara për zgjedhjen e një anëtari të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, ku kanë marrë pjesë 78 deputetë, prej tyre 39 fletëvotime janë shpallur të pavlefshme.

Personat që kanë konkurruar për anëtar të Bordit të Radio Televizionin e Kosovës,

Kandidatët konkurrent për bordin e Radio Televizionin e Kosovës,  Mehmet Kalisi ka fituar 29 vota, ndërsa Besnik Aliu ka fituar 10 vota.

Në bazë të rezultateve të numërimit të votave nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, asnjëri nga kandidatët nuk kanë marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur anëtar i Bordit të radio Televizionit të Kosovës (RTK), me ç’rast konkursi duhet të përsëritet.

Debati për Radio Televizionin e Kosovës po vazhdon.

(E plotësuar, ora 15:40) Vazhdon seanca e Kuvendit të Kosovës

Ka nisur seanca e pasdites e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Me 64 vota për,  asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi formoi komisionin votues për zgjedhjen e një (1) anëtari të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës nga radhët e komunitetit shqiptar. Tani Kuvendi ka filluar me procedurën e votimit të fshehtë për anëtarin e Bordit të RTK-së.

(E plotësuar, ora 12:59) Kuvendi votoi Strategjinë e Sigurisë së Kosovës, 2022-2027

A.Bela / RTKlive

Sot pas një debati prej rreth tre orësh, Kuvendi i Kosovës ka votuar Strategjinë e Sigurisë së Kosovës 2022-2027.

Pozita përkrahu strategjinë e prezantuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa opozita e kritikoi atë për shkak se sipas saj nuk ka pasur diskutim të duhur nga akterë dhe në institucione gjegjëse të Kosovës, raporton RTKlive.

Nga 84 deputetë të pranishëm në sallë, pro votuan 60 deputetë. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas votimit tha se Kuvendi shkon në pauzë deri në orën 15:00.

 

( E plotësuar, ora 12:28) Kuvendi i Kosovës po vazhdon shqyrtimin e Strategjisë së Sigurisë së Kosovës 2022-2027. Strategjinë e ka prezantuar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti:Kosova po i afrohet kriterit të buxhetit të NATO-s për ushtri

Shefi i ekzekutivit bëri me dije se kjo strategji është hartuar me të gjitha institucionet e Kosovës dhe me shtetet mike të Kosovës, duke përshirë edhe shtetet e QUINT-it, raporton RTKlive.

“Ky dokument paraqet objektivat strategjike të ndërlidhura me interesat jetike të Kosovës, siç janë: mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, ruajtja e sigurisë publike, siguria njerëzore dhe zhvillmi shoqëror si dhe integrimi në strukturat euroatlantike dhe mekanizma të tjerë. Synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe BE, si parakusht për qëndrueshmërinë e Kosovës dhe rajonit tonë”, tha ai.

Kurti foli edhe rritjen e buxhetit të Kosovës në 102 milionë euro për sigurinë. Sipas tij, qeveria e Kosovës i ka dhënë mbështetje buxhetit të sigurisë. “Kemi rritur buxhetin në 52% buxhetin për FSK, nga 63 milionë, në rreth 102 milionë për vitin 2022. Qeveria e Kosovës, ka ndarë buxhetin më të lartë në historinë e Kosovës, duke e përafruar kriterin e NATO prej 3 % të GDP. Ky buxhet është vendosje një standardi të ri për Forcat e Armatosura. Me këtë buxhet ne kemi treguar për sigurinë tonë dhe ngritjen e kapaciteteve tona ushtarake”, tha ai.

Kurti ka falënderuar të gjithë ata që po japin mbështetje në Fondin e Sigurisë së Kosovës. Po ashtu ai ka folur edhe për blerjet e pajisjeve të reja ushtarake për FSK-në. Ai ka kërkuar që Kosova të jetë pjesë e partneritetit për paqe. Kryeministri Kurti ka ftuar deputetët të miratojnë Strategjinë e Sigurisë së Kosovës 2022-2027.

“Miratimi i strategjisë së e Strategjisë së Sigurisë së Kosovës 2022-2027, u jep drejtim institucioneve tona në përpjekje të politikave tona unifikuar që ndërlidhen me interesat tona shtetërore të sigurisë. Po ashtu siç ka ditur të çlirohet dhe pavarësohet Kosova, ajo do të dijë të rrijë si Republikë e pavarur dhe demokratike e Kosovës, theksoi ai.

PDK kërkon që të ketë një rishikim Strategjik të Sigurisë së Kosovës

Në emër të PDK-së, deputeti Rashit Qalaj, tha se nuk kanë mundur të japin mbështetje dhe kontribut në këtë strategji. Sipas tij, PDK kërkon që të ketë një rishikim Strategjik të Sigurisë së Kosovës dhe më pastaj të ketë rekomandime.

Sipas tij në hartimin e strategjisë duhet të ketë koordinim dhe përfshirë të të gjitha sektorëve.

LDK: Ky dokument nuk të bëj fare me nevojat dhe kërkesat e Kosovës

Ndërsa në emër të grupit Parlamentar të LDK-së, deputeti Anton Çuni, theksoi se është rasti i parë që kanë mendime të ndryshme, për Strategjinë e Sigurisë së Kosovës. Edhe deputeti Çuni ka kritikuar këtë strategji. “Ky dokument nuk të bëj fare me nevojat dhe kërkesat e Kosovës”, tha ai.

AAK: Dokumenti është kopje e dobët e strategjive të kaluara

Kurse Bekë Berisha nga AAK tha se Strategjia Nacionale të Sigurisë e prezantuar nga Qeveria, është kopje e dobët e strategjive të kaluara.

Ai ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mos transparencë gjatë hartimit të kësaj strategjie. Berisha u shpreh se si kryetar i komisionit dhe i tërë komisioni për Siguri në Kuvendin e Kosovës, është anashkaluar nga Qeveria, duke mos i dhënë hapësirë për sugjerime dhe për ta dhënë kontributin si deputetë.

Live|Seanca e Kuvendit të Kosovës ( e plotësuar)

( E plotësuar, ora 10:30) Kuvendi i Kosovës ka filluar punimet me pikat e mbetura nga seancat e kaluara.

Kuvendi nuk ka mundur të votojë projektligjin për qeverinë dhe noterinë për shkak të mungesës së kuorumit.

 

Mblidhet Kuvendi, në rend dite votimi për çmimet e produkteve themelore

Sot Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë me punimet nga pikat e mbetura nga seancat e kaluara.

Kuvendi do të ketë në rend dite, votimin e Projektligjit për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, i cili në seancën e kaluar në mungesë kuorumi gjatë procesit të votimit nuk pati vendimmarrje pët të, raporton RTKlive

Po ashtu Kuvendi do të shqyrtojë pikat e papërfunduara nga seanca plenare e 4 gushtit, duke filluar me shyrtymin e 11 amendamentet e Projektligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës. 

Pika tjera në rend dite janë: Votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit  për noterinë, shqyrtimi i Strategjisë së Sigurisë së Kosovës 2022-2027, zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar, shqyrtimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2021 dhe Raportit të Auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në Radiotelevizionin e Kosovës”.

Kurse pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 7 tetor 2022 janë: votimi i Propozim-rezolutës nga Interpelanca me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati për çështjen: “Cenimi i të drejtave të punëtorëve në administratën shtetërore me ndalimin e pagave, si dhe presioni mbi pushtetin lokal, ndërhyrja në autonominë e komunave”, votimi në parim i Projektligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në sektorin e shëndetësisë, shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2021, shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për vitin 2021.

Ndërkaq pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 15, 22 dhe 23 shtator 2022 janë: votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive, votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2020, shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave të Cilëve u Kufizohet Lëvizja me Vendim të Gjykatës, shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Noterinë, shqyrtimi i Rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2021.

Po ashtu Kuvendi do të ketë në rend dite edhe pikën e papërfunduar nga seanca plenare, e mbajtur më 29 shtator dhe 3 tetor 2022y e cila është votimi për formimin e Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre (3) anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komunitetit shqiptar.

Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e filluar 14 tetor 2022 janë: shqyrtimi i parë i Projektligjit për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve, shqyrtimi i Propozim-rezolutës në lidhje me mosrealizimin e projekteve kapitale të Qeverisë gjatë vitit 2022, zgjedhja e dy (2) anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Shqyrtimi i Raportit vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2021.

 


MË SHUME NGA Lajme