E enjtja ditë seance, vendosi Kryesia e Kuvendit
BKT
Foto: Venera Xhoxhaj Adili
Lajme

E enjtja ditë seance, vendosi Kryesia e Kuvendit

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Një tjetër seancë do të jetë këtë javë. Të enjten deputetët do t’i kthehen sërish sallës plenare për të shqyrtuar një varg projektligjesh e nismash të partive politike.

Shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila pas përfundimit të takimit në kryesi ka përmendur pikat që do të trajtohen në seancën e radhës e ndër to edhe një rezolutë e propozuar nga LDK-ja kundër sulmeve ndaj integritetit seksual.

Për seancën e pikat e rendit të ditës nuk foli shumë shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahri.

Ndërkohë shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se janë bërë gjashtë herë prej kur dalin nga takimi i Kryesisë e nuk kanë çfarë për të thënë meqë sipas tij brenda asaj salle po mungon vendimmarrja në mungesë kuorumi e këtë e ka quajtur situatë të papranueshme.

“Kjo situatë është e papranueshme dhe fatkeqësisht po bie në linjë edhe me vlerësimin që na ka dhënë BE-ja”, tha ai.

Sipas tij shqetësuese është që për trajtim në legjislativ nuk janë ligjet vitale si ai për Pagat që thotë se nëse vazhdon me këtë dinamikë i njëjti nuk do të fuqizohet deri në janar 2024.

“Ajo që dua të theksoj ka të bëjë me ligjet vitale e që nuk janë duke ardhur në Kuvend, ndër ta Ligji i Pagave që po shtyhet me të vetmin qëllim, që të mos hyjë në zbatim në janar të vitit të ardhshëm. Shihet qartë se qeveria ka dështuar dhe Ligji i Pagave jo në janar 2023, por me këtë dinamikë nuk do të hyjë në zbatim as me 1 janar 2024”, ka thënë Tahiri i AAK-së pas përfundim të takimit në Kryesinë e Kuvendit.

 


MË SHUME NGA Lajme