Goncharenko: Do të punoj për njohjen e Kosovës nga Ukraina
Foto: RTKlive
Në Fokus

Goncharenko: Do të punoj për njohjen e Kosovës nga Ukraina

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Një mysafir special pati këtë të enjte Kuvendi i Kosovës. Bashkë me ligjvënësit e Republikës së Kosovës, si mysafir nderi aty ishte deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko.

Nga foltorja e Kuvendit deputeti ukrainas, shtetit që ka hyrë në muajin e 9-të të luftës me Rusinë ka thënë se Ukraina duhet ta njohë Kosovën dhe ka premtuar se do të punojë shumë për të ndodhur kjo.

Ai e ka krahasuar luftën e Kosovës për pavarësi me atë çfarë po ndodhë tash në Ukrainë.

Goncharenko tha se ka pasur ushtarë të vendit të tij që kanë vdekur në Kosovë si pjesëtarë të KFOR-it teksa luftonin për sigurinë e shtetit të Kosovës.

Ai tha se ka ngjashmëri mes Kosovës e Ukrainës sepse në të dyja vendet pati gjenocid.

“Ne ndihemi të ngjashëm sepse kemi qenë pjesë e gjenocidit mbi ne. Njerëzit e Kosovës luftuan për pavarësinë dhe ne po luftojmë për pavarësi. Ukraina duhet ta njohë Kosovën si shtet i pavarur sepse ju luftuat për këtë gjë. Do të bëj çfarëdo që mundem t'iu ndihmoj në këtë”, ka thënë para deputetëve ai.

Para se të merrte fjalën deputeti ukrainas aty u mbajt një minutë heshtje, derisa kreu i Kuvendit Glauk Konjufca tha se masakrat që po i bënë Rusia në Ukrainë janë akte të gjenocidit të këtij regjimi gjakatar mbi një popull të Evropës dhe mbi një shtet sovran.

Ai tha se të gjithë bashkë do të punojnë që kriminelët ta gjejnë dënimin e merituar për një botë më të sigurt në të ardhmen.


MË SHUME NGA Në Fokus