Prizreni bëhet me pesë gjuhë zyrtare
Jeton Musliu/RTKlive
Me votën e asamblistëve të Kuvendit Komunal, Prizreni e bën edhe gjuhën rome si gjuhë zyrtare.
Numrit të gjuhëve për përdorim zyrtar në komunën e Prizrenit u është shtuar edhe një tjetër.
Kështu, krahas asaj shqipe e serbe që janë gjuhë zyrtare në nivel të Republikës, në komunën e Prizrenit në përdorim zyrtar janë edhe gjuhët boshnjake e turke.
Megjithatë, nga e hëna, kësaj liste të gjuhëve zyrtare në Prizren, u është shtuar edhe gjuha rome, raporton RTKlive.
Një vendim të tillë e mori Kuvendi i Komunës së Prizrenit në mbledhjen e së hënës, duke votuar që gjuha rome në këtë komunë të jetë gjithashtu gjuhë zyrtare.
“Gjuha është jetike për njerëzimin e ky komunitet ka trashëgimi unike dhe ndër prioritetet e Komunës është mbrojtja e të drejtave të komuniteteve si dhe e të gjithë qytetarëve të Komunës së Prizrenit, pa dallim”, deklaroi Shaqir Totaj, kryetar i komunës së Prizrenit.
“Zgjidhëm një prej çështjeve më të rëndësishme të komunitetit rom në Komunën e Prizrenit, gjë për të cilën është punuar më shumë se një dekadë që të arrihet në pikën që u realizua sot”.
Në Komunën e Prizrenit jetojnë rreth 3 mijë banorë që i përkasin komunitetit rom.
Kështu, përveç shumë veçantive që ka Prizreni, kjo komunë bëhet e para në Kosovë por edhe më gjerë që ka pesë gjuhë zyrtare.