Çantat e rënda te fëmijët, vazhdon të shqetësojë prindërit
Foto: RTKlive
Në Fokus

Çantat e rënda te fëmijët, vazhdon të shqetësojë prindërit

Albana Bajrami /Radio Kosova

Çantat e rënda te fëmijët në arsimin parauniversitar, vazhdojnë të jenë problem i theksuar në vendin tonë, ku shumë fëmijë rrezikohen nga skolioza, sëmundje e cila shkakton deformim të shtyllës kurrizore. Nga hulumtimet e bëra, 37 për qind e fëmijëve ankohen për dhimbje shpine, ndërsa 34 për qind për dhimbje kraharori.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka thënë se ngarkesa që një fëmijë duhet të mbajë mbi supe nuk duhet të kalojë 10% të peshës trupore të tyre.

Problemi me çantat e rënda të nxënësve, vazhdon të shqetësojë prindërit, pasi fëmijët e tyre ankohen për dhimbje të shpinës. Vjollca Gashi, e shoqëron vajzën e saj për në shkollë, vetëm për këtë arsye. Ndërsa, Lea Sefedini, nxënëse e klasës së gjashtë në Shkollën “Nazim Gafurri” në Prishtinë, tregon për problemet që ajo ka gjatë bartjes së çantës.

“Si nënë jam e shqetësuar, për faktin se vajza ime e ka çantën shuam të rëndë. Tani problemi është se ajo ka dhimbje të shpinës dhe po më duhet që çdo ditë ta shoqëroj në shkollë”, tha Gashi. “Ne i kemi gjashtë orë dhe secila lëndë i ka nga dy libra e nga dy fletore. Çantën e kam shumë të rëndë edhe për shkak se kemi mjete të tjera. Vazhdimisht kam dhimbje të shpinës e qafës”, tha Lea.

Ndërkohë, sipas hulumtimeve të bëra nga Instituti “EdGuard”, pesha e çantave te fëmijët e ciklit të ulët, e tejkalon kufizimin e këshillueshëm prej 10 për qind të peshës së trupit. Drejtori i Institutit, Rinor Qehaja, tha për Radio Kosovën se të gjeturat tregojnë që në veçanti fëmijët e ciklit fillor, të klasave 1 deri në 5, janë më të prekur me peshën e çantës deri në 16% të peshës së trupit.

“Nga hulumtimi i Institutit “EdGuard”, rezulton që pesha e çantave te fëmijët të ciklit të ulët tejkalon kufizimin e këshillueshëm prej 10% të peshës së trupit. Kjo është shqetësuese veçanërisht kur dihet grupmosha e fëmijëve. Pesha e çantës mund të shkaktojë dhimbje momentale dhe lodhje te fëmijët, për rrjedhojë edhe shpërqendrimin e tyre gjatë procesit mësimor. Fatmirësisht pesha e çantave nuk ka ndonjë ndikim afatgjatë në shëndetin e fëmijëve. Ankesat shëndetësore te fëmijët kanë kryesisht burim mungesën e aktivitetit fizik. Fëmijët tanë nuk kanë aktivitete të mjaftueshme fizike në shkollë dhe jashtë saj”m tha Qehaja

Ndërkohë, disa komuna i kanë pajisur shkollat me dollapë, ku nxënësit mund t’i vendosin librat e tyre. Drejtori i Shkollës “Pavarësia” në Prishtinë, Shefki Rusinovci, tha për Radio Kosovën se e kanë trajtuar disa herë këtë çështje, por nuk ka pasur zgjidhje afatgjate. Ai tregoi se dollapët që kanë pasur nuk kanë qenë cilësorë për të ofruar mundësi për librat e nxënësve.

 “Edhe po t’i kishim dollapët, tani nuk mundemi, pasi hapësirën e kemi hendikep në Shkollën “Pavarësia”, ngase numri i nxënësve është jashtëzakonisht i madh. Mirëpo, kemi menduar që këtë mund ta zgjidhim vetëm atëherë kur të përfundojë aneksi, i cili është në ndërtim dhe përfundon vitin e ardhshëm. Ekspertët do të duhej të punojnë që e njohin fushën e arsimit, që të mos jenë për secilën lëndë nga tri tekste. Duhet të mendohet që në të ardhmen të shkohet në digjitalizim të teksteve e të mos barten librat me kilogramë për të deformuar shëndetin e fëmijëve”, tha Rusinovci.

Të gjeturat e hulumtimit, konstatojnë që pesha e çantave të fëmijëve të ciklit fillor dhe të mesëm të ulët është mesatarisht 4.3 kg, dhe paraqet 14% e peshës së tyre të trupit, kundrejt 10% të normës së rekomanduar.  Fëmijët kalojnë mesatarisht 10 deri në 15 minuta ecje nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas, dhe vetëm 33% e tyre, ndonjëherë asistohen në bartje të çantës, nga prindërit apo kujdestari. 37 për qind e fëmijëve ankohen për dhimbje shpine, ndërsa, 34 për qind për dhimbje kraharori.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit, nuk ka dhënë përgjigje për këtë çështje, derisa ka hartuar ligjin për tekstet shkollore, që parashikon ndër të tjera edhe lehtësira për nxënësit.

Organizata Botërore e Shëndetit, ka thënë se ngarkesa që një fëmijë duhet të mbajë mbi supe nuk duhet të kalojë 10% të peshës trupore të tyre. Sipas Organizatës, pesha e tepërt sjell probleme në zhvillimin fizik të fëmijës dhe shkakton probleme në shtyllën kurrizore.


MË SHUME NGA Në Fokus