Scholz pret që Kosova e Serbia të lëvizin para drejt marrëveshjes
Në Fokus

Scholz pret që Kosova e Serbia të lëvizin para drejt marrëveshjes

Blerim Halimi/RTKlive

(E plotësuar) Kancelari gjerman Olaf Scholz është shprehur optimistë se Kosova dhe Serbia do të ecin para drejt arritjes së marrëveshjes.

Scholz  ka theksuar se tani është koha që konfliktet të cilat janë trashëguar në Ballkan të zgjidhen dhe se sipas tij tani është mundësia për ta bërë një gjë të tillë.

"Sa i përket Kosovës dhe Serbisë, atje duhet të gjendet një mirëkuptim. Ne dhe qeveria franceze jemi duke u munduar ta bëjmë të arritshme një marrëveshje dhe shpresojmë se shumë shpejt do të kemi një proces ku të dyja qeveritë do të ecin përpara dhe do të arrijnë marrëveshje”, ka theksuar Scholz, në konferencë për media.

Ai ka thënë se procesi i marrëveshjes Kosovë-Serbi kërkon një durim të madh.

Ndërkaq, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka theksuar se marrëveshja Kosovë-Serbi është e domosdmoshme.

“Bëjmë thirrje për të dyja palët që të ecim tutje. Kjo është një urë që po ndërtohet për të zgjidhur një problem. Është në të mirë edhe të një procesi të përshpejtuar të aderimit”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, kryeministri shqiptar, Edi Rama ka theksuar se plani i ri franko-gjerman është një mundësi tejet e mirë jo vetëm për Kosovën e Serbinë por për të gjithë rajonin e Evropën.

“Shpresoj që të dyja palët ta marrin seriozisht këtë plan dhe të dyja ta kuptojnë se është koha që ta shohin si një kontribut të rëndësishëm në të gjithë arkitekturën e sigurisë së Evropës”, ka thënë Rama.

Scholz: I rëndësishëm integrimi i vendeve të Ballkanit në BE

(E plotësuar) Integrimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është shumë i rëndësishme sidomos tani në kohën kur Rusia e ka sulmuar Ukrainën. Kështu ka deklaruar kancelari gjerman, Olaf Scholz, në konferencën për media në Berlin.

Ai ka kërkuar nga vendet e Ballkanit Perëndimor hapa konkret për integrimin përmes Procesit të Berlinit dhe bashkëpunimit më të ngushtë.

“Procesi i Berlinit që nga 2014-ta ka dhënë një kontribut vërtet të frytshëm te njerëzit. Janë ndërtuar rrugë të reja, marrëdhënie të reja, të cilat kanë qenë kyçe për ekonominë e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve tregon seriozitetin e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vlerat e tyre. Këto marrëveshje për diplomat, kartat e ID dhe njohjen e kualifikimeve të tri profesioneve e bëjnë më të bashkuar rajonin”, ka thënë kancelari gjerman.

Sipas tij këto tri marrëveshje janë shumë të rëndësishme, e ku të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë qasje të barabartë.

"Këto marrëveshje janë një arritje e madhe për qytetarët e rajonit. Marrëveshjet kanë ndihmuar dhe ndihmojnë që këto shtete të bashkëpunojnë edhe më shumë”, ka shtuar Scholz.

Ai tutje ka thënë se BE ka investuar deri në 50 milionë euro për sektorin e energjisë, derisa në kuadër të këtij procesi do të ndajë deri 1 miliardë euro.

Von der Leyen: 1 miliard euro për Ballkanin Perëndimor

(E plotësuar) Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka thënë se Bashkimi Evropian do të ndajë 1 miliard euro në formën e granteve për t’i mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor për tejkalimin e krizës energjetike. Ajo gjatë konferencës së përbashkët me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se 500 milionë euro do të miratohen në dhjetor dhe ato do t’i jepen 6 vendeve në muajin janar për t’i mbështetur familjet në nevojë dhe bizneset.

Ndërkaq, 500 milionë euro tjera do të jepen për investime në infrastrukturën energjetike.

Ajo e ka vlerësuar shumë të mirë takimin e sotëm në Berlin, derisa ka thënë se ndjehet mirë që Procesi i Berlinit po mbetet në duar të mira, ngase Shqipëria do të jetë nikoqire në vitin e ardhshëm.

Von der Leyen ka thënë se që nga dita e parë e mandatit të saj e ka kthyer zgjerimin e BE-së në tryezë.

Rama: Procesi i Berlinit e ka bërë rajonin më të bashkuar

(E plotësuar) Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha nga Brukseli sot se Procesi i Berlinit e ka bërë Ballkanin Perëndimor më të bashkuar. Kreu i ekzekutivit shqiptar ka thënë se nënshkrimi i 3 marrëveshjeve nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor sot në Berlin është lajm shumë i mirë për qytetarët e këtyre vendeve.

“Më duhet të them se Merkel pati të drejtë sepse në qoftë sot kemi një rajon të bashkuar në një moment të ndërlikuar për të gjithë Evropën, kjo është falë edhe këtij Procesi. Kur u mblodhëm për herë të parë këtu, nuk ishim takuar prej shekujsh, ndërsa tanimë jemi takuar disa herë”, ka theksuar Rama, i cili i ka shprehur falënderime kancelarit Scholz dhe presidentes së Komisionit Evropian, Von der Leyen që ia besuan Shqipërisë mikpritjen e radhës së samitit të Procesit të Berlinit.

Nënshkruhen tri marrëveshjet e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në Berlin

(E plotësuar) Gjashtë liderёt e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë vendosur nënshkrimin e tyre në tri marrëveshje në kuadër të Procesit të Berlinit.

No description available. Këto marrëveshje të dakorduara më herët përfshijnë lirinë e lëvizjes, njohjen e diplomave universitare dhe kualifikimin profesional.

Liderët e Ballkanit Perëndimor në foto të përbashkët me kancelarin Scholz

Në prag të nënshkrimit të tri marrëveshjeve të dakorduara më herët ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, liderët e vendeve pjesëmarrëse në samitin e Berlinit e kanë bërë të ashtuquajturën ‘fotografi familjare’ me kancelarin Olaf Scholz.

Scholz: Procesi i normalizimit Kosovë-Serbi duhet të përshpejtohet (E plotësuar)

Procesi i normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përshpejtohet posaçërisht, në atë mënyrë që të prodhojë rezultate. Kështu ka deklaruar kancelari gjerman Olaf Scholz gjatë adresimit të tij para pjesëmarrësve në hapjen e samitit të “Procesit të Berlinit”.

Ai ka thënë se të gjithë duhet ‘të përforcojmë angazhimet tona për t’i përmbushur pritshmëritë që janë ngritur që para 20 vitesh në Selanik’.

“Premtimi për të ardhmen evropiane për ju dhe vendet tuaja është punë e jona për ta kthyer në realitet dhe kjo na ka bërë bashkë edhe sot. Jam shumë i lumtur që shoh që ky vizion ndahet nga të gjithë ju, pra nga liderët e Ballkanit Perëndimor, znj.Von der Leyen, shtetet anëtare dhe ish-kryesues të këtij samiti e udhëheqës të organizatave ndërkombëtare, rajonale e financiare”, ka shtuar Scholz.

Sipas tij, ‘Procesi i Berlinit’ nuk do të ketë për detyrë vetëm të çlirojë të gjithë potencialin e bashkëpunimit, por edhe të përshpejtojë integrimin evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Sot ju liderët e Ballkanit Perëndimor po bëni tre hapa madhor në këtë rrugëtimin tuaj, duke nënshkruar tri marrëveshje tejet të rëndësishme që do t’i bëjnë jetët e njerëzve më të lehta. Tregu i përbashkët rajonal do të nxisë ekonominë dhe investimet në vendet tuaja. Marrëveshjet do t’i mundësojnë qytetarëve tuaj t’i kalojnë kufijtë vetëm me letërnjoftime. Dhe do të sigurohemi që studentët nga Sarajeva të plotësojnë studimet e tyre në Beograd apo arkitektët nga Tirana të përdorin titujt e tyre për një vend pune në Shkup. Ju përgëzoj të gjithëve që keni marrë këta hapa të fuqishëm pas vitesh të tëra negociatash të vështira”, ka nënvizuar Scholz.

Ai ka thënë se këto marrëveshje i afrojnë vendet e Ballkanit Perëndimor me standardet evropiane dhe me tregjet rajonale për të cilat ato janë përkushtuar në vitin 2020.

“Procesi i Berlinit vazhdon të japë rezultate dhe ky është mesazhi. Rrugë dhe hekurudha po ndërtohen për të ndërlidhur vendet tuaja. Shpenzimet e roamingut janë hequr, pra kontakti është thjeshtësuar dhe lehtësuar. Po ashtu më se 800 studentë kanë kaluar kufijtë për të bërë këmbime shkollore dhe për të bërë miq të rinj, duke i dhënë jetë pajtimit të përgjithshëm e duke nxitur të ardhmen pa kufij të brendshëm”, është shprehur tutje kancelari gjerman.

Ai tutje ka thënë se çështje tjetër ‘që është presion për të gjithë ne është siguria energjetike dhe tranzicioni drejt burimeve të ripërtritshme.

“Këto sfida kanë qenë pjesë e takimeve të ministrave të energjisë të Procesit të Berlinit dhe këtë diskutim do ta shtyjmë përpara edhe sot. Diskutimet tona do të përforcohen edhe me ministrat e jashtëm dhe të brendshëm, pasi bashkë me përpjekjet për pajtim  sfidat për migrimin e parregullt nga korrupsioni dhe krimi i organizuar janë çështje qenësore për të gjithë ne. Përkushtimi nga vendet e juaja për të përafruar politikat e brendshme me BE-në janë esenciale në këtë kontekst”, ka deklaruar Scholz.

Sipas kancelarit gjermanet zotimet që po bëhet sot karakterizohen nga një ndjenjë urgjence. Ai ka kërkuar nga liderët e Ballkanit Perëndimor që t’i tejkalojnë konfliktet rajonale dhe të mbrojnë sigurinë e Evropës.

“Lufta brutale e Rusisë ndaj Ukrainës na detyron të bëhemi bashkë që ta ruajmë sigurinë dhe lirinë e Evropës. Është koha për të tejkaluar konfliktet rajonale që kanë vazhduar shumë gjatë, konflikte që ju ndajnë e ju mbajnë të përçarë në rrugëtimin evropian. Procesi i normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përshpejtohet posaçërisht ashtu që të prodhojë rezultate. Qytetarët e Ballkanit Perëndimor mund të llogarisin te Gjermania dhe Procesi i Berlinit do të vazhdojë t’i mbështesë. Vetëm së bashku mund të punojmë drejt një Bashkimi Evropian edhe më sovran . Vetëm së bashku mund të mbrojmë vlerat evropiane dhe sundimin e së drejtës dhe vetëm së bashku mund të tejkalojmë sfidat e stërmëdha që i dalin këtij kontinenti dhe gjithë botës”, ka përfunduar Scholz.   

Scholz: Evropa e plotë vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë e saj|Video

(E plotësuar) Kancelari gjerman, Olaf Scholz në hapje të samitit të Procesit të Berlinit ka thënë se Evropa mund të jetë e plotë vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë e saj.

“Gjatë vitit tim të parë si kancelar i Gjermanisë kam pasur mundësinë të flasë me shumë nga ju për sfidat e rënda që e ballafaqojnë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këto sfida janë të përbashkëta sepse stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit nuk mund të ndahet nga stabiliteti dhe prosperiteti i Evropës si tërësi. Evropa mund të jetë e plotë vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë e saj. Ju gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor i përkisni Evropës së lirë dhe anëtarësimi i juaj në BE është në interesin tonë“, ka theksuar Scholz, në hapje të këtij samiti.


MË SHUME NGA Në Fokus