Rohde: Targat e drejtë e Kosovës, duhet kohë, Asociacioni sipas Kushtetutës
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Rohde: Targat e drejtë e Kosovës, duhet kohë, Asociacioni sipas Kushtetutës

Jeton Musliu/RTKlive

(Plotësuar) Lidhur me çështjen e targave të automjeteve, ambasdori i Gjermanisë tha se hapat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, janë në drejtim të duhur.

"Por më duhet të them se ne si BE dhe si përfaqësues të Qunt-it, nga fillimi kemi thënë se masat e Qeverisë së Kosovës janë legjitime, se këto targa duhet të ndërrohen dhe nga fillimi i verës kemi thënë se duhet të parashihnim një proces që do të zgjaste 12 muaj", tha ambasadori Rohde, duke theskaur se e gjitha është legjitime, por të ketë një fazë tranzitore prej 12 muajsh."Kjo edhe për shkak të zbatimit administrativ".

Më tej ai tha se propozimet mund të merren ose mund të mos merren. "Nëse nuk merren, mund të ketë eksalim të situatës e ajo çfarë nuk na duhet tani është eskalimi i situatës", tha ambasadori gjerman në Kosovë. Sipas tij, ka shumë procese, prandaj dëshirohet që këto masa të zbatohen, dhe kjo nuk duhet të ndërpriste procese të tjera politike.

"Natyrisht që jam i zhgënjyer, e jo vetëm unë por edhe qeveria amerikane, sepse besojmë se këtë proces duhet ndërprerë në mënyrë artificiale që në fund në Kosovë, duhet të vlejë ajo se a do të ketë vetëm targa të Kosovës apo jo".

Ambasadorit të  Gjermanisë  iu rikujtua nga gazetarja Rexhepi se në Kosovë flitet çdo ditë se ka shumë marrëveshje të nënshkruara, e që nuk i zbaton Serbia, kurse vazhdimisht kërkohet nga Kosova t'i zbatojë ato, siç është Asociacioni. Në lidhje me këtë, ambasadori gjerman tha se nuk është këtu të tregojë se çfarë dhe kur duhet të bëjë Qeveria.

"E kemi thënë qartë se çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, duhet të zgjidhet bazuar në Kushtetutën e  Kosovës", tha ai, duke rikujtuar se e di që ka analistë që pretendojnë se me këtë, po krijohet një Republikë Serbe në Kosovë.

“Nuk është qëllimi ynë, por ka disa marrëveshje që duhet të zbatohen, por në kuadër të Kushtetutës dhe se ndryshe as nuk duam që ta zbatojmë”, tha ai. “Por ka një marrëveshje që duhet zbatuar e  kjo vlen edhe për targat e veturave".

Rohde: Refuzimi i planit franko-gjerman, nuk sjell sanksione as shpërblime

Ambasadori gjerman në Kosovë foli edhe për planin franko-gjerman sa i përket  dialogut Kosovë-Serbi. Ai tha se propozimet duhet të pranohen nga partnerët në bisedime.

"Ne japim propozime dhe ato mund të merren ose kundërshtohen ", tha Rohde, duke shtuar se - "në dialog, mes dy shteteve, duhet të arrihen kompromise në të mirë të të dyja palëve, pra të qytetarëve".

Sipas tij,  ky është mesazhi gjerman, se duhet të bëhen kompromise.

 "Ne do të japim ndihmën e përkrahjen tonë që edhe marrëveshjet e  mëhershme të zbatohen, sikurse sa i përket targave, apo Asociacionit të Komunave me shumicë serbe", tha ambasadori i Gjermanisë në Kosovë.

Sipas tij, Kosova ka marrë obligime dhe ato duhet të zbatohen. "Këtë  ua kemi thënë të gjithëve”.

I pyetur se nëse nuk ka kompromise në dialogun Kosovë-Serbi,  a do të ketë sanksione, diplomati i Gjerrmanisë në Kosovë e mohoi një gjë të tillë. "Ne nuk jemi këtu ajo instanca që duhet ta dënojë dikë me sanksione", u shpreh ai.

Rohde tha se Gjermania mund të thotë se nëse nuk merren këto propzime, atëherë nuk do të ketë sanksione, por duhet çuar përpara rajonin. "Sansksione ka vetëm si në rastin e Rusisë", tha Rohde, duke shtuar se nëse disa hapa të caktuar nuk ecin përpara, atëherë nuk ka shpërblime, por megjithatë nuk ka sanksione.

Ai tha se nuk mund të flasë më shumë për planin franko-gjerman sepse për këtë dueht pyetur kryeministrin e Kosovës, Kurti e presidentin e Serbisë, Vuçiq.

“Kjo është çështje e konfidencialitetit”. Ai tha se gjithçka që Gjermania e Franca bëjnë, është të kontribuojnë që këtë konflikt ta zgjidhin.  

Rohde: Procesin e Berlinit s’mund ta konkurojë me suksese Ballkani i Hapur

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, deklaron se samiti i Procesit të Berlinit, sot ishte  ditë e mirë për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën. Sipas tij, me tri marrëveshjet e nënshkruara, tashmë sigurohet lëvizje e lirë e njerëzve dhe njihen kualifikimet.

Ai tha se në kuadër të Procesit të Berlinit, është mbajtur fjala se Ballkani Perëndimor do të çohet përpara.

Ambasadori Rohde u shpreh se në tetë vitet e fundit, ky proces ka dritë-hije dhe ka mundur të ecet më shpejt, ndonëse u shpreh se pandemia ka ngadalësuar disa procese.

Por ai tha se ka pasur mundësi për përparim siç ishte roamingu, apo bashkëpunimi për kontroll të armëve të vogla, që sipas tij, jo vetëm në letër, por ato janë edhe të zbatueshme.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë në emisionin "RTK Prime" u shpreh se në politikë shpesh njeriu dëshiron të ecët më shpejtë, por proceset nuk ecin.

"Parndaj duhej freskuar ky proces dhe këtë e ka bërë kancelari Scholz", tha ambasadori gjerman, sipas të cilit, në politikë ka opsione shumë të mira që ecin përpara, e ka të tjera që nuk ecin.

“Ne duhet të qëndrojmë në vijë për të arritur qëllimin, prandaj duhet treguar këtyre 6 vendeve që ne qëndrojmë së bashku dhe të tregojmë se këto vende i përkasin BE-së”.

Ai u pyet edhe nëse Procesi i Berlinit dhe Ballkani i Hapur janë duke e konkuruar njëra-tjetrën

"Ndryshimi ndërmjet Procesit të Berlinit dhe Ballkanit të Hapur është se njëra përfaqëson tri shtete e tjetra përfaqëson të gjashtë shtetet. Nëse Procesi i Berlinit, shikuar nga ana ime është i suksesshëmshëm, atëherë nuk është temë e jona Ballkani i Hapur", u shpreh ambasadori Rohde.

I pyetur nga gazetarja Fitore Rexhepi mbi faktin se Kosova nuk dëshiron që të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur, e në të cilin janë vetëm tri shtete pjesë e tij, kurse në Procesin e Berlinit janë të gjitha shtetet dhe nëse ky i fundit do të jetë më aktiv, diplomati gjerman tha se kjo është një çështje të cilën do ta përshkruante me një fjalë.

"Kjo është konkurencë. Dhë në këtë drejtim është e rëndësishme që të bëjmë hapa të rëndësishëm në Procesin e Berlinit, e nëse nuk kemi hapa të suksesshëm në Procesin e Berlinit, atëherë dalin iniciativa të tjera", tha Rohde, duke shtuar se në këtë proces janë gjashtë vende dhe ka të arritura konkrete.

“Prandaj nuk ka edhe iniciativa të tjera që mund të arrijnë këtë sukses”.

Sidoqoftë, ai u shpreh se e rëndësishme është që në Procesin e Berlinit ka edhe partnerë të tjerë, ku përveç Gjermansië dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, është edhe  Komisioni Evropian dhe të tjera.


MË SHUME NGA Lajme