Kurti nga Berlini: Marrëveshjet e nënshkruara duhet të zbatohen
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se me nënshkrimin e tri marrëveshjeve për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë si dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve jetësuan Tregun e Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit.
Për punën e bërë drejtë arritjes së këtyre marrëveshjeve të rëndësishme, shefi qeveritar ka falënderuar kancelarin gjerman Scholz si dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për angazhimin.
“Kosova është partner dhe aktor proaktiv dhe konstruktiv. Andaj theksova se ne kërkojmë bashkëpunim të bazuar në respekt reciprok dhe barazi, e bashkëpunim që promovon rregullat dhe vlerat e BE-së, që mundëson përparimin dhe avancon demokracinë”, ka shkruar kryeministri.
Tutje sipas tij marrëveshjet e nënshkruara duhet të zbatohen dhe pozita e Kosovës në procese rajonale duhet të përmirësohet.
“Kosova duhet të kryesojë organizata rajonale në të cilat është anëtare dhe të jetë nikoqire e tyre”, ka thënë Kurti.

Tutje ka treguar se në sesionin e sigurisë së furnizimit me energji, ka adresuar faktin se Kosova është me fat që nuk mbështetet në gazin e Rusisë, por megjithatë mbështetet në importin e energjisë elektrike, e veçanërisht gjatë dimrit.
“Kriza energjetike, e rënduar nga agresioni rus në Ukrainë dhe përdorimi si armë i energjisë nga Putini, ka ndikuar nëpërmjet çmimeve të larta të energjisë elektrike”.
Tutje kreu qeveritar ka shkruar se Republika e Kosovës iu bashkua të gjitha sanksioneve të BE-së kundër Federatës Ruse, duke e kuptuar se gazi i lirë i Rusisë është i kushtueshëm për sigurinë dhe paqen e Evropës, e më e rëndësishmja, për jetën e popullit ukrainas.

“Ne besojmë se asnjë vend demokratik nuk duhet të qëndrojë neutral përballë mizorisë dhe agresionit të Rusisë në Ukrainë”, ka thënë ai.
Ka thënë se si qeveri, synojmë të mbrojnë qytetarët nga rritja e çmimeve të energjisë, por edhe të sigurojnë që të ketë stimuj për të rritur efiçiencën e energjisë dhe për të ulur kërkesën për energji.
“Këtë vit kërkesa jonë për energji elektrike është ulur me mbi 6%. Ne synojmë ta mbajmë këtë trend duke subvencionuar familjet që kursejnë energji dhe blejnë pajisje efiçiente për ngrohje. Deri në fund të vitit, ne do të miratojmë Ligjin tonë të parë për Burimet e Ripërtritshme të Energjisë, do ta bëjmë më të lehtë për familjet dhe bizneset instalimin e paneleve diellore dhe do të hapim ankandin e parë për investitorët privat”, ka shkruar kryeministri, derisa ka thënë se ka falënderuar BE-në dhe Gjermaninë që kanë qenë partnerë të palëkundur të Kosovës.
























