Kosova dhe Gjermania investojnë në energji të gjelbër
Foto/ Behare Bajraktari/ Deponia e hirit Kosova A
Në Fokus

Kosova dhe Gjermania investojnë në energji të gjelbër

Behare Bajraktari/ Radio Kosova

A ka burokraci në Kosovë?

Ministrja gjermane, Anna Lühermann, tha se duhet shfrytëzuar të gjitha kapacitetet që kemi dhe të eliminohen burokracitë.  ” Duhet të ketë më pak burokraci kur kemi të bëjmë me ndërtimin e burimeve të rinovueshme dhe investimet që duan t’i bëjnë kompanitë si dhe ka shumë investitorë që duan të vijnë në Kosovë për të investuar në energji të ripërtërishme.”

Sipas Lühermann, kjo është thelbësore për sa i përket aspektit financiar, kjo është mënyra që klienti dëshiron të investojë për të ardhmen dhe gjithashtu për tregun e BE-së dhe është shumë e qartë e që në thelb do t'u japë përparësi produkteve të importuara në BE që prodhojnë energji të rinovueshme.

Derisa në vitin 2021 në fshatrat Bajgorë dhe Selac të Mitrovicës ka filluar punën Parku i erës “Selac windpark”, projekt gjermano-izraelit, me vlerë prej 169 milionë eurosh, ku në përurim ishte edhe ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock në fillim të këtij viti.

“Do të përuroj këtu një park të energjisë me erë i cili është ndërtuar me mbështetje gjermane dhe deri tani përbën investimin individual në Kosovë. Ky nuk është vetëm një hapë në drejtim të neutralitetit klimatik por edhe një mundësi gjigante e zhvillimit, ne folëm edhe për këtë që së bashku do të angazhohemi që projekte  të tjera të pasojnë në të ardhmen”, tha Baerbock gjatë përurimit.

Nga ana tjetër projekti  francez me vlerën e investimeve prej 122 milionë eurosh në energji, i nënshkruar në 2019 nga kryetarët e pesë komunave: Drenas, Skenderaj, Obiliq, Vushtrri dhe Mitrovicë, sipas së cilit Qyqavica është shpallur Zonë me Interes të Veçantë, askush nuk e di pse ka ngecur.

Gjithashtu për energjinë ka bërë planet edhe Kompania “NEK Umwelttechnik AG” nga Zvicra ku investimet sipas kompanisë, shkojnë rreth 10 milionë euro në turbinat e erës në tri lokacione të Kosovës, në Zatriq, në Budakovë të Komunës së Suharekës dhe në Qyqavicë të Vushtrrisë.  

Partneri menaxhues i një kompanie për energji solare, Lulzim Syla, nuk i konsideron investimet aktuale klasike burokratike

Syla tha se” Investimet aktuale nuk është se janë ndalur ose se ka burokraci në kuptimin klasik të bllokimit të investimeve, më tepër ka një mungesë të udhërrëfyesit i cili do të saktësonte potencialin edhe mundësitë për të investuar në burimet e ripërtërishme e këtu futen edhe të dhënat dhe detajet që duhet të ishin ofruar nga ana e shtetit, qoftë për identifikimin e zonave në cilat kanë më shumë diellosje për energji solare, qoftë në zonat që kanë potencial për energji të erës si dhe ato gjeoteramle apo ato gjeotermike në kuptimin e prodhimit nga biomasa apo fushat e tjera”, tha Syla për RTK-Radio 1.

Sidoqoftë, edhe deri tash investimet janë realizuar me tarifa ndihmëse, tarifat ndihmëse tash nuk ekzistojnë, tash është vetëm çmimi referent i cili ende është si në mjegull në kuptimin e aprovimit të projekteve, tha Lulzim Syla.

“ Atyre të cilët duan të investojnë, deri në çfarë limiti apo kapaciteti u lejohet? Për shkak se kemi projekte të cilat janë në zhvillim e sipër e disa prej tyre që kanë në ngecje siç është projekti i “Qyqavicës”, që është projekt 100 MWh me erë, por nuk dihet akoma saktësisht se ku është ngecja në zhvillimin e këtij projekti. Ai thotë se ka iniciativa nga ana e biznesit për të investuar, disa kanë aplikuar për leje, disa janë në proces të marrjes së aprovimeve për investime, kështu që është një proces në lëvizje”.

Donatorët, grantet dhe investimet për  Burimet e Energjisë së Ripërtërishme

Agjencia e zhvillimit ekonomik të Republikës Federale të Gjermanisë  në fillim të tetorit 2022 përmbylli fazën e ofertimit për konsulentët e pavarur të kualifikuar të cilët u ftuan të paraqesin dokumentet e parakualifikimit për shërbimet e konsulencës për zbatimin e projektit në deponinë e hirit 150 hektarësh në afërsi të Termocentralit “Kosova A”. Në fazat e para përfshihet rivitalizimi, ndërtimi i termocentralit diellor PV deri në 100 MË me prodhim energjie elektrike rreth 145 GWh në vit dhe instalimin e një depoje plotësuese me sistem prej rreth 50 MËh ngrohje dhe/ose energji elektrike. Shërbimet konsulentë pritet të ofrojnë ekspertizë në përgatitjen e konceptit, tenderimit, inxhinierinë, koston, cilësinë, ndërtimin dhe mbikëqyrjen e vënies në punë për të siguruar zbatimin e projektit në lidhje me kohën.

Dhjetë vite për të marrë jetë projekti gjerman në KEK, i cili akoma nuk ka filluar...

Gjatë vizitës së ministres gjermane, znj. Anna Lühermann, në deponinë e hirit të parkut të “Kosovës A” zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli, theksoi mungesën e energjisë elektrike dhe krizën që mund ta ketë edhe Kosova gjatë këtij dimri.

“Duke pasur parasysh mungesën e energjisë në vend, dhe duke pasur parasysh gjithashtu që KEK-u është duke shkuar me linjat e tranziconit për në energjinë e ripërtërishme, përkrahja e qeverisë gjermane, në këtë rast përmes KFW(Banka Gjermane Për Zhvillim), është e mirëseardhur. Ky projekt prej 100 MWh,  që do të financohet përmes qeverisë gjermane dhe EIB (Banka Evropiane e Investimeve), është shumë me interes për neve dhe vizita e ministres gjermane,  znj. Lühermann, tregon se Gjermania është e interesuar për Kosovën dhe investimet në vendin tonë”, tha Bucolli.

Projekti i donuar nga gjermanët për 100 MWh të energjisë solare nuk fillon deri në 2025

Për krizën aktuale janë shikuar mundësitë edhe prej Gjermanisë, por edhe prej shteteve të tjera të Bashkimit Evropian se si të përkrahet Kosova edhe në këto ditë të vështira që e presin, sepse sipas të gjitha parashikimeve edhe Kosova do të preket nga kriza energjetike.

Për këtë çështje kur erdhi në Prishtinë ditë më parë Presidentja e Komisionit Evropian,  Ursula Von der Leyen, tha se Kosova mund të ketë nevojë për mbështetje të menjëhershme financiare buxhetore.

“Ne do t’ju japim një grant prej 75 milionë euro për të mbështetur menjëherë bizneset dhe ekonomitë familjare të cenueshme. Do të fillojmë të gjitha procedurat që të finalizohen deri në fund të vitit, dhe ta keni financimin që në fillim të janarit të vitit të ardhshëm”,  deklaroi Von der Leyen.

Gjatë adresimit të saj në Prishtinë Von der Leyen e përsëriti nevojën për të qëndruar të bashkuar dhe të jetë Evropa si një e vetme duke mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor gjithashtu me grante për mjedisin.

“Ne e kemi edhe një investim në grante prej 500 milionë eurosh për tërë rajonin e që do t’ju mbështesim në rrugëtimin tuaj drejt pavarësisë energjetike dhe sigurimit të furnizimit, dhe ky është investim në energji të ripërtërishme, gjithashtu edhe në lidhjet energjetike në mbarë Evropën për efikasitet më të madh të energjisë por edhe për investime dhe për energji të ripërtërishme që nuk është e mirë vetëm për klimën por   është e mirë edhe për pavarësinë e rajonit tonë”, tha Von der Leyen.

Gjermania është lidere në Energjinë e Ripërtërishme në Evropë

Për sa i përket investimeve në energjinë e ripërtërishme, edhe Ejupi nga INDEP, (Institute for Development Policy)  thotë se Gjermania është ndër të parat në Evropë.

“ Jo vetëm tash në këto dy vitet e fundit të krizës energjetike po në dhjetëvjeçarin e fundit, ndërsa për sa i përket deponisë së hirit te Termocentrali “Kosova A” Ejupi thotë se  Gjermania është donator e jo investitor.

“Ky është një projekt për të cilin flitet tash e 10 vjet, Termocentrali “Kosova A”, ku ka qenë mihja e Mirashit, që të prodhohet energji solare, projekt i cili është zvarritur për shkak të procedurave të donacionit.

Shefi i INDEP më tej tha ”Unë nuk e kuptoj pse KEK-u nuk i investon paratë e veta, kur dihet që ka pare në bilancin bankar dhe donacioni vetëm do ta rriste kapacitetin”.

KEK-u prodhon mesatarisht 800 MWh, ndërsa gjatë dimrit rritet nevoja për megavat shtesë

Nëse krahasohet kërkesa e njëjtë me të vitit të kaluar gjatë të njëjtës periudhë, shpenzimi është i njëjtë, tha zëdhënësi i KEK-t, Bucolli, për RTK-Radion 1, tha “se përkundrazi në këtë vit i kemi bërë edhe 150 MWh e që i kemi të deponuara në Shqipëri dhe presim që t’i marrim dhe ta zbusim krizën energjetike. Por,  pavarësisht që çmimi i energjisë ka shkuar në 800 euro gjatë verës dhe se gjatë dimrit çmimi mund të rritet mbi 1000 euro, Kosova nuk e ka luksin të blejë energji ose të importojë energji elektrike, prandaj duhet të kursejë secili qytetar”.

Nesër vazhdon pjesa e tretë... Gjermania 100% me energji të rinovueshme deri në vitin 2034, po Kosova?


MË SHUME NGA Në Fokus