“Vjeshta e Patriarkut” vjen me një speciale në Radio Kosova
BKT
Kulturë

“Vjeshta e Patriarkut” vjen me një speciale në Radio Kosova

Arben Veselaj/Radio Kosova

Në terminin e rregullt të emisionit “Libri”, që jepet çdo të premte në Programin 1 RTK-Radio, sonte, mund të ndiqni një speciale kushtuar njërës nga kryeveprat e letërsisë së shekullit XX: romanit “Vjeshta e Patriarkut”, nga nobelisti kolumbian, Gabriel Garcia Marquez.

Ardhja në shqip e kësaj kryevepre të letërsisë botërore është një kontribut i jashtëzakonshëm i përkthyeses dhe shkrimtares së mirënjohur nga Tirana, Mira Meksi.

Ky roman jo rrallë është konsideruar si më i arriri i “babait” të realizmit magjik, Gabriel Garcia Marquez. Por ky roman shumë i vlerësuar, për më se 50 vjet, mbeti i panjohur për botën shqiptare; ishte një shkëputje e madhe në vargorin e romaneve monumentalë të Gabos në gjuhën shqipe.  

“Vjeshta e Patriarkut” rrëfen ngjarje të pabesueshme, fantastike, me parashenjë të qartë të realizmit kritik, social, politik e historik. Shumë kritikë dhe studiues pajtohen se “Vjeshta e Patriarkut” i përket tipit të “romanit të ri historik”, por i dendur mirë në “vajrat” e realizmit magjik, ku realja shkrihet dhe bëhet një me të çuditshmen, e ndonjëherë edhe me të mrekullueshmen e me të mbinatyrshmen.

 “Shëllira” historiko-politike e Amerikës Latine është brumi me të cilin Gabo e ndërton botën e pështirë të Gjeneralit (Patriarkut) – në një “republikë” të vogël në Karaibe, ku krejtësisht i papenguar e ushtron dekadencën dhe egërsinë maçoiste.

Romani përshkruan pushtetin “e të pavdekshmit” – personazhit diktator, “republika” e të cilit, edhe pasi rrënohet, sërish përtërihet sikur pas një uragani, me tërë egërsinë dhe brutalitetin.

Në këtë roman Gabo na shfaq disa karaktere personazhesh imagjinarë përmes të cilëve ai i zhvillohen temat letrare, si: imperiumi (pushteti mbi jetën dhe mbi vdekjen), paranoja (frika nga asgjëja), e deri te syndroma e “optimizmit të detyrueshëm”, që instiktivisht i çon njerëzit drejt brohoritjeve vulgare.

“Vjeshta e Patriarkut” përveç kënaqësisë së leximit estetik na trand sidomos me nëntekstin (mesazhin), duke e fshikulluar fort ndërgjegjen historiko-politike të Amerikës Latine, mbi mizoritë dhe diktaturat, të cilat i prodhoi me bollëk përgjatë gjithë shekullit XX.

Na ndiqni sonte në ora 21:05, RTK-Radio, Programi 1, 95.7 MHz dhe në internet: http://www.rtklive.com/sq/livestream/radiokosova


MË SHUME NGA Kulturë