Kurti: Kosova në prag të reformës më të madhe ligjore në kulturë
Shqipe Gashi/RTKlive
Kryeministri Albin Kurti e vlerësoi lartë rolin e muzikës dhe artit si fuqi diplomatike në botë. Këto deklarata kryeministri i bëri në edicionin e dytë të “Prishtina Music Conference”. Ai tha se një organizim i tillë është i domosdoshëm për muzikën, si art por edhe si industri, dhe për zhvillimin e rrjetëzimit të skenës sonë me botën.
“Më vjen shumë mirë që kjo iniciativë e juaja, me vlerë të madhe për vendin tonë, i ka mbledhur profesionistët e të gjitha fushave, jo vetëm të vendit tonë, por edhe të vendeve të tjera, të cilët na kanë nderuar me pjesëmarrjen e tyre, por gjithashtu edhe me kontributin në vendin tonë për muzikën mbarë”, ka thënë Kurti.
Kryeministri tha se aktualisht ka këngëtarë të cilët kanë veshur edhe uniformën për ta mbrojtur vendin e tyre, siç është Ukraina. Po ashtu kryeministri ka përmendur edhe këngën "Baraye" e cila është shndërruar tashmë në himn për mbrojtjen e të drejtave të grave, kundër regjimit në Iran.
“Muzika e Kosovës, ndër të tjera e ka një fuqi të madhe diplomatike. Këtë e ndeshim gjithandej kur takojmë të tjerët, sepse nuk ka njeri që dëgjon sadopak sot muzikë e nuk e njeh Dua Lipën e Rita Orën, Bebe Rexhën e Action Bronson, Ramë Lahajn, Elina Dunin, Ilir Bajrin, Shkelzen Dolin, e mund të vazhdoj me numërim edhe shumë gjatë, por nuk do të qëndrojmë këtu në foltore, sepse të gjithë jemi bashkë për t'i ndjekur ata që pasojnë pas meje në këtë mbrëmje shumë të këndshme”, tha Kurti.
Ai po ashtu përmendi dhe teoricienti gjerman Theodor Adorno nga Shkolla e Frankfurtit, i cili, sipas tij, e ka një koncept interesant mbi atë që ai e quan ndotja e mendjes.
Kurti në këtë event ka thënë se Qeveria është e angazhuar dhe po përmbush sektorët mungues, duke përfshirë themelimin dhe funksionalizimin e Operës së Kosovës, “të cilët sonte janë duke mbajtur koncertin e tyre të radhës, e që së shpejti do t'ua bëjmë edhe shtëpinë e tyre, Teatrin e Operës”.
“Kosova është në prag të reformës më të madhe ligjore në kulturë. Në këtë edicion të dytë të Prishtina Music Conference dua të ju njoftoj se me masat që do të merren me legjislacionin e ri, kultura do të kalojë në një fazë të re zhvillimore. Ajo sigurisht që na prinë, por kur të na prinë duhet ta ndjekim, dhe duke e ndjekur duhet t'i ndihmojmë”, deklaroi kryeministri.
Kurti tha se ashtu sikurse vitin e kaluar, edhe këtë vit e në vitet e ardhshme, do të mbështes iniciativat që i sjellin vlerë dhe mirëqenie popullit të Kosovës. “Pra me sa më pak ndotje të mendjes, e me sa më shumë jetë të mirë, e cila natyrisht nuk është veçse materiale, por edhe intelektuale, shpirtërore e emocionale”, deklaroi ai.























