Rriten rastet e dhunës në familje
Foto arkiv/ RTKlive
Në Fokus

Rriten rastet e dhunës në familje

Ardiana Hajzeri/ Radio Kosova

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, vetëm në periudhën janar –shtator të këtij viti në Kosovë janë raportuar 2067 raste të dhunës në familje.

Drejtues të organizatave për mbrojtjen e grave vlerësojnë se numri i atyre që përjetojnë dhunë në familje është me i lartë sesa statistikat zyrtare, për arsye se ato nuk raportohen.

Numri i rasteve të dhunës që po raportohen në Policinë e Kosovës është rritur ndër vite. Në një përgjigjeje me shkrim për Radio Kosovën,  Policia ka bërë të ditur  se që nga viti 2020  e deri në shtator të këtij viti janë raportuar mbi 6500 raste të dhunës në familje.

“ Në vitin  2020, janë evidentuar 2069 raste të dhunës në familje, në këto raste kanë qenë 2101 viktima dhe në vitin  2021 janë evidentuar 2456  raste të dhunës në familje, në këto raste kanë qenë 2486 viktima. Ndërsa, në periudhën janar-shtator 2022 numri total i rasteve ka qenë 2067, prej tyre 2126 viktima dhe 776 persona të arrestuar.” thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.”

Se këto shifra janë edhe me të larta e thonë drejtues të organizatave për  mbrojtjen e grave. Besarta Breznica, nga Rrjeti i Grave të Kosovës, i tha Radio Kosovës se sipas të dhënave dhe monitorimit që është bërë në terren, numri i viktimave të dhunës në familje dhe dhunës seksuale është me i lartë, por se nuk raportohen. Kohëve të fundit në të shumtën viktimat janë vajza të mitura.

 “ Pavarësisht që statistikat e Policisë së Kosovës tregojnë që vitin e kaluar kanë qenë mbi 2 mijë e ky vit ende nuk ka përfunduar dhe janë mbi 1 mijë raste që janë raportuar. Por  ne themi se ka më shumë raste të dhunës por që nuk raportohen në institucionet kompetente. Gjatë raportimeve të kohëve të fundit tregojnë që me shumë ka raste viktima të mitura”, tha ajo. 

Në lidhje me këto raport shqetësuese, psikologia Marigona Sadiku në një përgjigje për Radio Kosovën tha se është momenti i fundit kur shoqëria dhe institucionet duhet të reagojnë.

 “ Tani është periudha e fundit dhe koha e fundit ku ne tani si shoqëri  të reflektojmë mbi këto raste që po ndodhin pothuajse veç janë të përditshme. Kjo duhet të bëhet edhe për mes ligjeve që  duhet  të bëhen  brenda shtetit”, tha ajo.

Rastet e dhunës në familje në secilin stacion policor trajtohen  nga zyrtarë policorë që kanë kryer trajnime shtesë për raste të tilla, por rastet e tilla gjithashtu trajtohen në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave dhe me organet e drejtësisë.


MË SHUME NGA Në Fokus