EULEX-i shihet pranë gjykatës dhe stacionit policor në veri të Mitrovicës
BKT
Foto: Valon Bajrami/Mitrovicë e Veriut/RTK
Lajme

EULEX-i shihet pranë gjykatës dhe stacionit policor në veri të Mitrovicës

Jeton Musliu/RTKlive

(Plotësuar) Ndryshe Mitrovica e Veriut ku edhe po mbahet e gjithë vëmendja e mediave dhe politikës, në komunat e tjera në këtë zonë, vazhdon puna e policisë, sikurse në Zveçan.

Siç njofton gazetari i RTK-së, Valon Bajrami, i cili ndodhet në veri të Mitrovicës, atje tashmë po duken edhe forca të EULEX-it.

Sipas tij, policia e EULEX-it është duke qëndruar pranë objekteve të stacionit policor në Mitrovicën e veriut si edhe tek Gjykata Themelore në këtë komunë.

Në anën tjetër, situata në përgjithësi është e qetë, ndonëse paksa e tensionuar, ku tashmë nuk vërehen as qytetarë në rrugë dhe as lëvizje të automjeteve.

Kjo pasi disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës nga komunitetit serb në pjesën veriore të vendit, sot i kanë zhveshur uniformat publikisht për t’iu bashkuar agjendës politike të Listës Serbe.

Kreu i kësaj liste, Goran Rakiq, tha se është marrë vendim që serbët t’i lëshojnë postet e larta publike nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. Shkak është mospajtimi i tyre për targat.

Veriu mbushet me flamuj të Serbisë, nesër protestë në sheshin “Car Llazar”

Nuk ka ndërtesë, shtëpi apo kompleks banesor në veri të Mitrovicës, që nuk ka vendosur flamurin e Serbisë.

Madje, ata janë vendosur edhe në ballkone. Siç raporton nga atje, gazetari i RTK-së, Valon Bajrami, ajo qe bie ne sy, është lëvizja fare e paktë e qytetarëve në këtë zonë të qytetit.

Ekipi i RTK-së raporton se në këtë zonë të vendit, nuk janë parë njësi të shtuara të policisë apo forcave të tjera të rendit.

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, si zakonisht, ndodhet në kampin Belvedere.

Ndërkohë, në pikat kufitare që ndajnë Kosovën me Serbinë, si në Jarinjë dhe Bërnjak, aktualisht gjenden njësitë e rregullta të policisë.

Megjithatë, gazetari Bajrami rikujton se ende nuk dihet zyrtarisht nëse edhe pjesëtarët serbë të policisë kufitare, ndodhen edhe më tej në detyrë.

Kjo për faktin se zëdhënësi i policisë në jug të Mitrovicës,  nuk ka informacione, kurse Zëvendësdrejtori i Policisë rajonale të Veriut të Mitrovicës, Besim Hoti, nuk është i qasshëm në telefon, pavarësisht përpjekjeve për t’u kontaktuar.

Ndërkohë, serbët e veriut të Kosovës kanë paralajmëruar për nesër (e diel) një protestë në qendër të Mitrovicës së Veriut.

RTK në veri: Flamuj më të shumtë të Serbisë në rrugë, situata e qetë|Video

Situata në veri të vendit është e qetë, ndonëse duket paksa e tensionuar. Megjithatë, nuk është shënuar ndonjë incident.

Kjo, pavarësisht se disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës të komunitetit serb, nën dirigjimin e Listës Serbe e cila drejtohet nga Beogradi zyrtar, kanë zhveshur uniformat e tyre si pjesëtarë të rendit.

Megjithatë, pavarësisht se të njëjtit, kanë hequr dorë nga uniforma, ata nuk kanë hequr dorë nga armët zyrtare të cilat i kanë mbajtur.

Siç raporton gazetari i RTK-së, Valon Bajrami,  i cili ndodhet në veri të vendit,  përveç vendosjes në numër më të madh të flamujve të Serbisë në sheshin kryesor të qytetit të Mitrovicës së Veriut, diçka tjetër të pazakontë nuk është vërejtur.

Nga ana tjetër, Policia e Kosovës ka demantuar sot mediat, kryesisht ato serbe, sipas të cilave, Njësiti Special i Policisë,  ka shkuar në veri.

Policia ka thënë se ky lajm nuk është e vërtetë dhe se asnjë pjesëtar i saj nga ky njësit nuk ka lëvizur.

Situata deri në këtë pikë erdhi pas takimit të sotëm të përfaqësuesve politik serb, te cilët vendosën që të largohen nga te gjitha institucionet e Kosovës, si nga niveli qendror, por edhe ai lokal në katër komunat e veriut të Kosovës.

Ky vendim, sipas tyre, u ndërmor si reagim ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për fillimin e zbatimit të vendimit për targat, fillimisht me masën e qortimit, e pas datës 21 nëntor,  edhe me shqiptim të gjobave.

Në pjesën veriore të vendit, sipas gazetarit Bajrami, në këto çaste nuk vërehen  lëvizje të shumta të qytetareve si edhe ka fare pak qarkullim të automjeteve.

Tek ura mbi lumin “Ibër”, gjenden vetëm disa njësi të karabinierëve italian, patrullë kjo e zakonshme.

Ekipi i RTK-së, Valon Bajrami, Gramoz Ademi, Engin Nuza e Shpend Demhasaj, do të vazhdojnë të qëndrojnë në veri të vendit, për të sjellë informacionet e fundit mbi zhvillimet eventuale.

 


MË SHUME NGA Lajme