Jevtiq e Lista Serbe në Graçanicë përkrahje për serbët në veri
Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, si dhe nënkryetar i Listës Serbe, si dhe Lista Serbe në Graçanicë ka ofruar përkrahje për serbët në veri, që kanë marrë vendim të largohen nga institucionet e Kosovës.
Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, si dhe nënkryetar i Listës Serbe, me anë të një cicërime në Twitter, ka thënë se ofrojnë mbështetje të plotë për serbët në veri të vendit, por nuk e ka bërë të qartë nëse është larguar nga posti i tij apo jo.
“Prej kohësh e kemi paralajmëruar dhunën institucionale dhe qasjen e keqe të institucioneve të Kosovës ndaj serbëve. Nëse qeveria në Prishtinë nuk i ndal të gjitha presionet ndaj serbëve, nuk shoh arsye që ne të jemi më pjesë e institucioneve të Kosovës”, ka thënë Jevtiqi.
Edhe Lista Serbe në Graçanicë ka ofruar përkrahje për serbët në veri të vendit dhe atyre që kanë marrë vendim të largohen nga institucionet e Kosovës.
Sipas njoftimit të tyre, fajtor për zhvillimet e fundit është kryeministri Albin Kurti.
“Për këtë hap të kryesisë së Listës Serbe, e cila gjithmonë është udhëhequr nga politika e stabilitetit politik, bashkëpunimit dhe zhvillimit, është përgjegjës regjimi i Albin Kurtit, i cili mban përgjegjësi politike dhe morale për situatën aktuale”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe në Graçanicë.
Këto reagime vijnë pas vendimit të Listës Serbe që të largohet nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe nga komunat në veri të vendit.
“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq pas takimit.























