Për situatën në veri, ministrja Haxhiu bën përgjegjëse edhe opozitën
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila është edhe zyrtare e lartë në Vetëvendosje, pas situatës së krijuar në veri të vendit, ka reaguar me një postim në llogarinë e saj në facebook.
Ajo tha se vendimet e Qeverisë janë të drejta dhe të ligjshme, sa i përket çështjes së targave.
Sipas Haxhiut, janë për keqardhje dhe të turpshme qëndrimet e subjekteve opozitare.
“Fatkeqësisht opozita e sotme apo qeveria e djeshme as atëherë as tash nuk mbështesin vendimet e drejta, madje sot vuajmë pasojat e marrëveshjeve të tyre të dëmshme”, shkroi Haxhiu, sipas së cilës, qëllimi i këtyre vendimeve është mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial. “Prandaj edhe do të duhej të kishte unifikim rreth tyre”.
“Ata duan që t’i lëshojmë pe Serbisë e të përmbushen apetitet e Vuçiqit, disa për shkak të lidhjeve me strukturat kriminale e disa të tjerë e kanë mendjen veç tek pushteti”, tha Haxhiu.























