Pushimet e gjata kolektive në kopshtet publike|Video
Foto,RTK
Në Fokus

Pushimet e gjata kolektive në kopshtet publike|Video

Valbona Tahiri/ RTK

Pushimet e gjata kolektive në kopshtet publike të cilat po vështirësojnë jetën e secilit prind i cili i dërgon fëmijët në këto kopshte dhe është në marrëdhënie pune. Edhe vetë edukatoret këtë lloj pushimi e cilësojnë imponues.

Komuna e Prishtinës këtë pushim të gjatë kolektiv e arsyeton me renovimet që bëhet përgjatë asaj kohe në institucione publike derisa ministria e Arsimit zotohet se kjo do të ndryshojë.

Blerta Ahmeti me profesion gazetare, ajo së bashku me bashkëshortin punojnë për t’iu ofruar një jetë më të mirë fëmijëve të tyre.

Por sfidë për Blertën me fëmijë në kopshtin publik, janë pushimet verore të institucioneve parashkollore, kur ato mbyllen tërësisht për disa javë.

“Dy javë bllok, ku prindërit obligohen me bë zgjidhje alternative sepse kopshti është mbyllë” ,thotë për RTK Blerta Ahmeti.

E për prindërit, fëmijët e të cilëve janë në kopshte private dhe ato me bazë në komunitet përballen me pushime në ditët e festive.

“Ndodhë që edhe profesioni jonë të ketë nevojë edhe gjatë festave për neve, edhe kopshtet nuk punojnë edhe pse është privat festave nuk punon fare”, tha Jehona Misini  doktoreshë në Klinika e Pediatrisë.

“Në momentin kur ka nevojë institucioni për mua, aktivizohen edhe anëtarët e familjes tjerë të cilët i kemi gjithmonë krah edhe pa ata nuk mundemi me ia dal”, thotë Krenare Vitia zyrtare policore.

Drejtoria e Arsimit në Prishtinë këtë vit stafit të institucioneve parashkollore pushimin kolektiv iu ka përcaktuar për tri javë radhazi nga data 18 korrik deri më 7 gusht të vitit 2022, gjë të cilin pushim e shohin imponues edhe vetë edukatoret.

“Pushimin e kemi gjatë stinës së verës fillon nga korriku, pushimin faktikisht e kemi të imponuar prej komunës edhe këtë vit kemi pas tri javë pushim kolektiv, ndërsa një javë e kemi pas individuale”,shprehet  Feride Shabani  edukatore në IP ‘Lulevera’.

“Imponues, sepse ky është i detyrueshëm, sepse ne kur na duhet pushimi nuk e kemi” , tha Mihane Rafuna  edukatore në IP ‘Buzëqeshja’.

Në drejtorinë e arsimit në Prishtinë mbyllja totale e kopshteve realizohet për renovim të objekteve parashkollore dhe pastrimit të tyre. Por ndryshe mendojnë njohësit e fushës së arsimit.

“Konsiderojë që institucionet publike duhet tu përgjigjen kërkesave të prindërve derisa sa u përket edukatorëve dhe të punësuarve në këto institucione ata persona e dinë se ku po konkurrojnë” ,thapër RTK Xhavit Rexhaj profesor i lëndës ‘Teorie të nxënit’.

“Vendet skandinave, edhe ato i kanë praktikat që nuk mbyllet kopshti gjatë viti”, tha Mevlude Murtezi kryetare e drejtorëve të institucioneve parashkollore.

Me miratimin e ligjit të ri “Edukimi në Fëmijërinë e Hershme 0-6 vjeç” pritet të ndryshohet edhe pushimi i stafit të kopshteve.

“Ne do të shohim praktikat më të mira për hartimin e udhëzimeve administrative të këtij ligji për të parë se si mund të rregullojmë këtë çështje më mirë”, tha Labëri Luzha  udhëheqëse për edukim parashkollor në MASHT

Në Kosovë edukim në fëmijërinë e hershme e ofrojnë gjithsej 49 institucione publike parashkollore, 177 institucione parashkollore private të licencuara dhe 8 qendra me bazë në komunitet.


MË SHUME NGA Në Fokus