Kishnicë: Një koktej molotovi është hedhur në shtëpinë e familjes Trajkoviq
BKT
Lajme

Kishnicë: Një koktej molotovi është hedhur në shtëpinë e familjes Trajkoviq

RTKlive

Sonte rreth orës 20:00 është hedhur një “koktej molotovi” në shtëpinë e familjes Trajkoviq në Kishnicë, ka konfirmuar për RTKLive Jelena Trajkoviq.

“Ky nuk është sulmi i parë në shtëpinë tonë, sonte hodhën një shishe me lëndë djegëse, për fat të mirë zjarri nuk ka arritur në shtëpi, nuk ka dëme materiale. Megjithatë, të gjithë jemi të shqetësuar,  në shtëpi ka qenë një fëmijë trevjeç, ndërsa unë  jam shtatzënë. Policia ka qenë, ka bërë hetim. Megjithatë gjithçka do të jetë si deri tani, nuk besojmë se autorët do të dalin para drejtësisë", ka thënë Trajkoviq.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

"Më 06.11.2022, rreth orës 20:00, kemi pranuar informatën se në fshatin Kishnicë, në drejtim të një shtëpie, është hedhur një shishe që dyshohet të ketë qenë e mbushur me substancë në gjendje të lëngshme e cila ka mbetur të konfirmohet pas ekzaminimeve të nevojshme”, ka thënë zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ajo tha se Policia po heton rastin dhe nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar.

“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim me prokurorin e shtetit menjëherë ka ndërmarrë veprimet hetimore preliminare, të cilat aktualisht sugjerojnë që rasti është i izoluar në vetvete dhe të gjitha indicet orientojnë në drejtim të tillë”, ka shtuar Ahmeti. 

Familjen Trajkoviq sonte e ka vizituar kryetarja e Komunës së Graçanicës Lilana Shubariq me kolegët e saj.

 


MË SHUME NGA Lajme