Analistët: Serbia nuk i zbaton marrëveshjet që nuk i konvenojnë
Foto:RTK
Në Fokus

Analistët: Serbia nuk i zbaton marrëveshjet që nuk i konvenojnë

Kosovare Gashi/Radio Kosova

Njohësit e rrethanave politike në vend vlerësojnë se masat e marra nga qeveria lidhur me konvertimin e targave ilegale në ato RKS, nuk janë të duhura. Në prononcime për Radio Kosovën ata kanë thënë se qeveria së pari është dashur t’u ofrojë siguri serbëve që janë të gatshëm t’i konvertojnë targat. Ndërsa sa i përket marrëveshjeve, Serbia sipas tyre, nuk është e gatshme të zbatojë asnjë marrëveshje që nuk i konvenon asaj.

Deri me datën 21 nëntor qytetarët serbë vetëm do të qortohen, ndërkaq pas kësaj date, të gjithë ata që lëvizen me targa ilegale do të gjobiten.

Njohësit e rrethanave politike në vend vlerësojnë se këto masa nuk janë të duhura. Profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet t’i shqyrtojë edhe njëherë masat, pasi sipas tij, nuk i ka garantuar serbët për konvertimin e targave. Spahiu ka thënë se që nga fillimi i zbatimit të vendimit për targat, janë djegur disa vetura dhe Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë masa.

“Qeveria e Kosovës nuk ka qenë e zonja që t’i sigurojë qytetarët për t’i konvertuar targat në “RKS”.  Janë djegur pesë makina dhe asnjë nga ata piromanë, apo kriminelë, nuk janë arrestuar, apo e dyta, askush prej tyre nuk është kompensuar. Qeveria nuk është vetëm për të ushtruar dhunë ndaj  qytetarëve, por në radhë të parë është për t’iu garantuar siguri”, ka deklaruar Spahiu për Radio Kosovë.

Analisti Mazllum Baraliu ka thënë  se është e vështirë që të realizohet  çështja e tragëve, e sidomos pas datës 21 kur edhe fillojnë gjobitjet, pasi sipas tij, Serbia nuk është e gatshme të zbatojë asnjë marrëveshje që nuk i konvenon asaj.

“Serbia nuk do asnjë marrëveshje, ajo po blen kohë haptazi para bashkësisë ndërkombëtare dhe në relacion me Kosovën, që të mos zbatojë asnjë marrëveshje që nuk i konvenon asaj dhe të mos lidhë marrëveshje përfundimtare për stabilizim marrëdhëniesh dhe njohje reciproke”, ka thënë Baraliu.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se nuk është i interesuar që askush të gjobitet, por që është i interesuar që të zbatohen ligji dhe të mos lëvizë askush me targa të paligjshme.

Shtetet e Bashkuar të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë serish thirrje Qeverisë së Kosovës që të shtyjë zbatimin e vendimit për targat, por ekzekutivi ka vendosur që  zbatimin e vendimit ta ndaj në tri faza.

Nga data një nëntor  deri me 21 nëntor është duke u zbatuar faza e qortimit, ndërkaq pas kësaj, nga 21 nëntori fillon faza e gjobitjes që do të zgjasë për dy muaj, deri me 21 janar, e me pas është faza e tretë që do të këtë tabela provuese deri me 21 prill.


MË SHUME NGA Në Fokus