Priten zgjedhje të reja lokale në katër komunat e veriut të Kosovës
Pajtim Çuni /Radio Kosova
Në katër komunat e veriut të Kosovës, pritet të mbahen zgjedhje të reja lokale, pas dorëheqjes së katër kryetarëve. Zgjedhjet, duhet të shpallen nga presidentja, brenda 10 ditësh, thonë ekspertë të së drejtës kushtetuese. Ndërkohë, 10 deputetët e Kuvendit të Kosovës nga subjekti politik Lista Serbe, të cilët kanë dorëzuar mandatet e tyre të parevokueshme, duhet të zëvendësohen me të rinj.
Në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave ilegale serbe në RKS dhe suspendimin e drejtorit Rajonal të Policisë në veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriq, më 5 nëntor, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit për kthim, e bashkë me të janë dorëhequr edhe deputetët e kësaj partie dhe kryetarët e komunave në veri. Pas dhënies së dorëheqjes së kryetarëve, zgjedhjet lokale në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, janë të pashmangshme, thotë për Radio Kosovën profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu.
“Tani pas dorëheqjeve të kryetarëve të komunave në veri, presidentja e vendit duhet që në afat prej 10 ditësh t’i shpallë zgjedhjet e që sipas ligjit, mund të mbahen jo më herët se 30 ditë e jo më vonë se 45 ditë pas shpalljes së tyre dhe botimit në Fletoren Zyrtare të vendimit të Presidentes”, tha ai.
Radio Kosova ka pyetur Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, nëse janë njoftuar zyrtarisht për dorëheqjen e katër kryetarëve. Por, deri në përgatitjen e materialit nuk kanë kthyer përgjigje nga kjo ministri.
Për dorëheqjet e tyre, 10 deputetët e Listës Serbe e kanë njoftuar Kuvendin e Kosovës. Për mungesën e përfaqësuesve të komunitetit serb, vendi nuk rrezikon të shkojë në zgjedhje, tregon Baraliu.
“Ligji, në këtë rast e parasheh mundësinë apo institutin e zëvendësimit të deputetëve nga lista e kandidatëve e cila është dorëzuar dhe pranuar nga zyra për partitë politike në KQZ, kur janë mbajtur zgjedhjet. Dhe, kështu, kanë të drejtë deputetët e asaj liste që janë në pritje, që t’i marrin mandatet përkatëse. Përndryshe, nuk ka nevojë të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi nuk rrezikohet funksionimi i parlamentit ”, tha ai.
Baraliu thotë se nëse kandidatët e Listës Serbe, nuk pranojnë t’i marrin mandatet, e nëse ka vakuum juridik, do të duhet që partitë e tjera politike të komunitetit përkatës të mundë të zëvendësonin mandatet e deputetëve.























