Presidenca: Presim njoftim zyrtar nga MAPL-ja për dorëheqjet në veri
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
(Eplotësuar) Presidenca e Kosovës është në pritje të një njoftimi zyrtar nga Ministria Administrimit të Pushtetit Lokal për dorëheqjet e kryetarëve të komunave, informacion të cilin thonë se ende nuk e kanë.
Në një përgjigje për RTKlive, Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes së shtetit, Vjosa Osmani tha se Legjislacioni në fuqi dhe praktika e përcaktojnë qartë procedurën për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në rastet kur kryetarët e komunave dorëhiqen nga posti i tyre.
“Presidentja e Republikës së Kosovës ndërmerr veprimet e nevojshme, duke përfshirë konsultimet me subjektet politike, si dhe shpalljen e zgjedhjeve, pas njoftimit zyrtar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për dorëheqjen e kryetarëve të komunave. Deri më tani, një njoftim i tillë ende nuk është pranuar nga Zyra e Presidentes”, ka thënë për RTKlive, këshilltari Kupina.
RTK qysh herët paradite i ka dërguar pyetje ministrit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi për këtë çështje, por nuk ka kthyer përgjigje nëse tashmë zyrtarisht i kanë pranuar dorëheqjet e drejtuesve komunal në veri.
Veriu i zgjedhjeve të jashtëzakonshme
Pas dorëheqjes së katër kryetarëve të komunave të veriut të vendit, në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan e Mitrovicë të veriut pritet të ketë zgjedhje të reja. Edhe kësaj here, pritet të përsëritet skenari i vitit 2018, kur katër komunat e banuara me shumicë serbe, hoqën dorë nga mandatet e tyre.
Atëbotë arsye e protestës që qoi në dorëheqje ishte taksa 100 për qind që ekzekutivi i vendosi produkteve serbe, derisa tash katër vjet më vonë shkas për dorëheqjet u bë suspendimi i drejtorit të Policisë për veriun, që erdhi si vendim i autoriteteve kosovare pas refuzimit që i njëjti të zbatonte vendimet e shtetit të Kosovës për masat e shkallëzuara të vendosura nga institucionet për ata që bartin targa ilegale.
Neni 4 i ligjit për Zgjedhjet Lokale sqaron se data e zgjedhjeve caktohet nga kryetari i shtetit pas konsultimit me partitë politike.
Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë ditë dhe jo më vonë se dyzetepesë ditë pas shpërbërjes.
Nga presidenca e shtetit pritet që gjatë ditës të dalin me një qëndrim rreth situatës.
Ndërkohë, ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi nuk i është përgjigjur interesimit të RTKlive për të ditur nëse tashmë zyrtarisht i kanë pranuar dorëheqjet e drejtuesve komunal në veri.
Ndonëse Ligji për Zgjedhjet Lokale nuk e njeh dorëheqjen, kjo situatë është sqaruar nga Gjykata Kushtetuese 12 vjet më parë kur kishte dhënë dorëheqje përmes një letre të dorëheqjes, kryetari i komunës së Rahovecit atë kohë, Qazim Qeska.
Në KQZ si institucion që i organizon zgjedhjet kanë thënë për RTKlive se ata do të përmbushin detyrimet kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve pasi ato të shpallen.
Zëdhënësi, Valmir Elezi tha se KQZ-ja do të presë shpalljen e zgjedhjeve për të filluar me përgatitjet e tyre.

“Si në çdo proces tjetër zgjedhor, KQZ-ja fillimisht miraton planin operacional, në të cilin listohen të gjitha aktivitetet të cilat duhet të realizohen për organizimin e këtyre zgjedhjeve”, tha ai.
Por, ky proces i paplanifikuar pritet t’i kushtojë buxhetit të Kosovës, për çka KQZ-ja duhet të kërkojë buxhet shtesë nga Qeveria.
“Këto janë zgjedhje të paplanifikuara, prandaj KQZ-ja nuk ka buxhet. Në raste të tilla, sikurse në të kaluarën, KQZ-ja përgatit kërkesën për Qeverinë e Kosovës me shumën e planifikuar”, tha Elezi për RTKlive.
Ndërkohë siç dihet deri tash kanë dhënë dorëheqje kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, të cilën rrugë e kanë ndjekur edhe këshilltarët komunal, e shumë zyrtar të tjerë institucional.
Derisa në nivel qëndror dorëheqje ka dhënë ministri Goran Rakiq dhe dhjetë deputetët e komunitetit serb.
Në fakt këta të fundit kanë bojkotuar punën e Kuvendit prej më shumë se katër muajsh.























