Në praktikë dirigjon Listën Serbe, në Instagram shkruan statuse paqeje
BKT
Foto: Aleksandar Vuçiq/Facebook
Lajme

Në praktikë dirigjon Listën Serbe, në Instagram shkruan statuse paqeje

J.Musliu/RTKlive

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar sot zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës. Me retorikën e zakonshme drejtuar shtetasve serbë të Republikës së Kosovës, ai ka thënë se ata do të mbështetën nga Serbia.

Në një deklarim në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiq deklaroi se populli serb në Kosovë nuk do të mbetet pa mbështetjen e Serbisë.

“Sepse  është e rëndësishme që ata të jenë të sigurt”, tha presidenti i Serbisë, pa përmendur faktin se për të krijuar një gjendje të tillë, ai ka pasur takime në Beograd me liderët e Listës Serbe, raporton RTKlive.

Përveç kësaj, ai e ka konfirmuar vetë se ka komunikuar të premten gjatë tërë natës me zyrtarët e  kësaj partie.

 “Pa lëvizje të nxituara, gjithmonë me popullin tonë për të ardhme më të mirë për fëmijët tanë”, ka shkruar Vuçiq.

“Kjo është politika që ne ndjekim dhe që e zbatojmë çdo ditë”.

Ai deklaroi se Serbia vazhdon të mbrojë interesat kombëtare dhe, në të njëjtën kohë, lufton për çdo faktor që mund të sjellë përfitime, raporton RTKlive.

Ai shtoi se beson që  “ne do të kemi sukses në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit për popullin tonë dhe Serbinë tonë”.

Më 5 nëntor, zyrtarët serbë njoftuan se do të largohen nga institucionet e Kosovës në katër komunat në veri të vendit, përfshirë nga policia, gjyqësori, por edhe nga Kuvendi dhe Qeveria.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se serbët do të kthehen në institucionet e Kosovës kur Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

 


MË SHUME NGA Lajme