Ekspertët e sigurisë: Nëpërmjet këtij skenari serbët duan autonomi në veri
BKT
Foto: RTK
Lajme

Ekspertët e sigurisë: Nëpërmjet këtij skenari serbët duan autonomi në veri

Albana Bajrami/Radio Kosova

Pas dorëheqjeve, një numër i zyrtarëve policorë serbë të punësuar në Policinë e Kosovës, tashmë kanë dorëzuar edhe armët në nënstacionet policore në veri të vendit. Nga vendet e punës kanë hequr dorë edhe drejtues të gjykatës e prokurorisë atje. Për këtë situatë, njohësit e çështjeve të sigurisë thanë për Radio Kosovën, se qëllimi përfundimtar i serbëve është krijimi i një autonomie në veri të Kosovës.

Pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës të cilët kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre të dielën, sot kanë dorëzuar edhe armët në nënstacionin policor në Zveçan, Leposaviq  dhe në Mitrovicën e Veriut. Në anën tjetër, nga vendet e punës kanë hequr dorë edhe drejtues të gjykatës e prokurorisë në këtë pjesë të vendit. Për situatën në veri, ekspertët thonë se serbët, përveç kundërshtimit të konvertimit të targave kanë pretendime të tjera më të mëdha. Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, tha për Radio Kosovën se qëllimi i serbëve është krijimi i një autonomie në veri të Kosovës.

“Kjo bëhet në mënyrë artificiale për përshkallëzimin e situatës dhe përfitimit të favoreve. Në këtë rast ata kanë synimin e krijimit të Asociacionit të Komunave, normal edhe masave të tjera të një autonomie apo të një forme çfarë ata pretendojnë ta bëjnë në veri, pa marrë parasysh se a do të jenë autorizimet jo ekzekutive, sikurse ka përshkruar Gjykata Kushtetuese”.

“Pretendimet e serbëve në veri janë të mëdha, nuk është arsyeja vetëm e konvertimit të targave, por edhe krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, krijimi i një autonomie të serbëve në veri, si dhe prezencën e forcave policore në  veri, duke filluar nga ato të rendit, por edhe policisë kufitare duke kërkuar që vetëm ndërkombëtarët të jenë në mbikëqyrje në këtë fazën preliminare. Qëllimi përfundimtar është krijimi i një autonomie në veri.”

Ibishi, theksoi se në këtë rast qeveria duhet të vazhdojë me zbatimin e ligjit në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar që është prezent në Kosovë.

“Institucionet e Kosovës, kanë kapacitete që të mbajnë rendin dhe qetësinë publike. Duke pasur parasysh edhe kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare, kjo e fundit nga SHBA, për të ndërprerë masën për targat dhe të diskutohet për mundësinë e realizimit të marrëveshjes së Asociacionit. Qeveria duhet të marrë masat e nevojshme që rendi e qetësia publike të mbahet atje, të mos ketë incidente, të ketë zbatim të ligjit dhe në vazhdimësi të bisedohet që përmes dialogut të zgjidhen çështjet”, tha ai.

Ndërkohë, Mentor Vrajolli, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, tha për Radio Kosovën se siguria në Kosovë ka qenë e brishtë dhe se zhvillimet në veri janë një skenar i pritur. Ai tha se mund të ketë përshkallëzim të situatës atje, por që do të jetë e nxitur nga Serbia.

“Mund të ketë përshkallëzim të situatës së sigurisë atje, por kjo nuk do të thotë që janë të nxitura nga qytetarët aty. Duket qartë se janë të nxitura nga Serbia, nëpërmjet Listës Serbe. Mendoj se qytetarët serbë në veri dëshirojnë të kenë një jetë normale dhe nuk janë të interesuar që të jenë pjesë e strukturave që dëshirojnë destabilizim. Megjithatë, realiteti në praktikë tregon që këto struktura janë të gatshme që të destabilizojnë vendin, për shkak të mungesës së zgjedhjeve të lira”, deklaroi ai.

Pas një veprimi të tillë, Policia e Kosovës ka zëvendësuar policët në këtë territor të vendit me pjesëtarë të policisë nga pjesë të tjera të Republikës, deri në gjetjen e një zgjidhjeje.

Policia e Kosovës gjithashtu ka njoftuar se ka kapacitete për menaxhimin e situatës dhe rrethanave të krijuara, dhe se të gjitha veprimet do t’i ndërmarrë konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese. Ndërsa, KFOR-i ka reaguar duke theksuar se po punon për të ruajtur sigurinë për njerëzit në Kosovë.

Pjesëmarrja e qytetarëve serbë në institucionet e Kosovës, me theks në Polici e Gjyqësi, ka ardhur si rrjedhojë e një procesi të dialogut të lehtësuar nga ana e Bashkimit Evropian dhe me ndihmën e ShBA-së që nga viti 2011. Nëpërmjet këtij procesi u mundësua shkrirja e institucioneve paralele serbe dhe integrimi i personelit të tyre në institucionet e Republikës së Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme