Kurti-Stoltenbergut: Qeveria dhe institucionet do bashkëpunojnë me aleatët
B. Halimi / RTKlive
(E plotësuar) Për bisedën e sotme telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ka njoftuar edhe zyra e kryeministrit Kurti.
Përmes një komunikate për media, ekzekutivi ka bërë të ditur se kryeministri Kurti e njoftoi Sekretarin Stoltenberg me mbarëvajtjen e punës së institucioneve, teksa theksoi se nga fillimi i zbatimit të shkallëzuar të vendimit për targa, nuk është shënuar asnjë incident apo pranuar asnjë ankesë, edhe pse janë lëshuar 856 vërejte për vozitësit e veturave me targa ilegale.
Kreu i Qeverisë ka thënë se bojkoti i ditëve të fundit është i nxitur dhe i orkestruar nga Beogradi zyrtar dhe është rezultat i veprimeve të tyre të vazhdueshme destruktive në dialogun ndërmjet dy vendeve.
“Kurti e siguroi Sekretarin Stoltenberg se Qeveria dhe institucionet e Kosovës si gjithmonë do bashkëpunojnë, komunikojnë dhe bashkërenditen ngushtë me aleatët dhe partnerët e saj”, thuhet në komunikatë.
Sipas njoftimit, Kurti i ka thënë shefit të NATO-s, se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për vlerat demokratike dhe evropiane të sundimit të ligjit, të të drejtave dhe lirive të njeriut e të pakicave, të pluralizmit politik dhe të paqes e të sigurisë.
Stoltenberg: Kosova e Serbia të përmbahen nga veprimet e njëanshme
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.
Nëpërmjet një postimi në “Twitter”, Stoltenberg ka thënë se i ka kërkuar të dy liderëve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili do të mund ta përshkallëzonte situatën dhe se dialogu është e vetmja rrugë përpara.
“Bisedova me Aleksandar Vuçiqin dhe Albin Kurtin për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. I kërkova të dyve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të shkaktojë përshkallëzim. Dialogu është e vetmja rrugë përpara. NATO_KFOR mbetet vigjilentë”, ka shkruar Stoltenberg.
























