Krerët e shtetit diskutojnë zhvillimet në veri
V. Thaçi / RTKlive
(E plotësuar) Zhvillimet e fundit në veri të vendit kanë bërë bashkë krerët e institucioneve të vendit.
Presidentja Vjosa Osmani ka mbajtur sot takimin e rregullt koordinues me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, me kryeministrin, Albin Kurti dhe me zëvendëskryeministren, Donika Gërvalla-Schwarz lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit.
“Gjatë takimit u theksua përkushtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës për të garantuar mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit përmes zbatimit të rendit dhe ligjit në koordinim të plotë me shtetet aleate dhe mekanizmat ndërkombëtar të sigurisë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Osmani pret komandantin e KFOR-it: Të përkushtuar për sigurinë publike
Pas ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim edhe komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia.
Edhe me komandantin e KFOR-it temë diskutimi ishin zhvillimet e fundit në veri të vendit.
“Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara për të siguruar mbarëvajtjen dhe sigurinë publike në gjithë territorin, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar dhe forcat e KFOR-it në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Tutje, Presidentja Osmani ka potencuar se zbatimi i rendit dhe ligjit është objektiv i institucioneve të Kosovës dhe se nuk përbën kërcënim për asnjë qytetar, pa dallim përkatësie etnike.
Hovenier te Osmani, diskutojnë për zhvillimet e fundit në veri
Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier, më te cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit në veri të vendit.
“Osmani nënvizoi përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të garantuar mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët evropian”, thuhet në njoftimin e shkurtër të Presidencës në rrjetin social “Facebook”.























