Kuvendi miratoi edhe Ligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore
N.Mekolli - V. Saraçi Sahatçiu / RTKlive
(E plotësuar) Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e dytë plenare me shumicë votash i kanë dhënë dritë jeshile Ligjit për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.
Ky ligj sikurse 16 amendamentet e propozuara morën 64 vota deputetësh, por jo edhe të atyre të opozitës të cilët nuk morën pjesë fare në votim.
Po ashtu, 65 deputetë ngritën dorën për të votuar Ligjin për mbështetjen e punëve publike.
Ndërkohë aty u bë shqyrtimi i dytë edhe i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për noterinë që në sallë plenare erdhi si nismë e deputetëve dhe nuk pati amendamente të propozuara nga komisionet përkatëse.
Për këtë ndryshim votuan 63 deputetë dhe me këtë votim u përmbyll edhe seanca e dytë plenare e paraparë për këtë të martë, e cila vazhdoi menjëherë pas asaj të jashtëzakonshme paraprake në të cilën u votua zgjatja e masave emergjente në furnizimin e energjisë.
Kuvendi miraton vazhdimin e masave për energji
(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës ka votuar pro vendimit të Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca pas votimit tha se me 65 vota për miratohen masat për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë. Kundër vazhdimit për 30 ditë të masave ishin tri partitë opozitare.
Live|Opozita kritikon masat e Qeverisë për furnizimin me energji

(E plotësuar) Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala në fjalimin e tij në seancën e sotme kritikoi masat e qeverisë për mbrojtjen e konsumatorit të energjisë dhe i quajti ato të pamjaftueshme.
Shala tha Qeveria për gjashtë herë u shmang nga kërkesat për efektet e masave të qeverisë.
“Ministri nuk sjell një raport që të tregojë se cilat janë efektet, pasojat apo sukseset e këtyre masave emergjente për energjinë”, tha Shala dhe njëherit kërkoi një raport më të hollësishëm nga qeveria rreth këtyre masave.
Edhe deputetja e PDK-së, Valentina Bunjaku, tha se është hera e gjashtë që po flitet për masat e qeverisë për energjinë, por "prapë këto masa nuk po ofrojnë zgjidhje për qytetarët e Republikës tonë". Deputetja pyeti qeverinë nëse ka siguruar energjinë që do të shpenzohet gjatë këtij dimri, teksa vlerësoi se ekzekutivi nuk ka sjell kurrfarë plani për energjinë.
Kurse deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri pyeti qeverinë nëse është e interesuar ta mbajë gjendjen e jashtëzakonshme në sektorin e energjisë apo është e interesuar të bëjë zgjidhje.
“Gjendja me energjinë po keqësohet dhe veprimet e qeverisë janë shumë simbolike. Si deputetë nuk jemi serioz, nuk po e trajtojmë me seriozitet gjendjen shumë serioze në të cilen gjendemi. Për ne me rëndësi është që ta marrim me seriozitet gjendjen e sigurisë në vend, për situatën që është krijuar në veri të Kosovës”, tha Tahiri.
Ai pati vërejtje në mungesën e kryeministrit Kurti në këtë seancë, në të cilën, tha ai, do të duhej të fliste për situatën e sigurisë në Kosovë, teksa u shpreh i habitur me këtë qasje të kryeministrit.
Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, pati vërejtje për ligjin e energjisë për furnizimin me energji. Sipas tij masat emergjente janë kthyer në normalitet për qeverinë. Mënyra si po vepron kjo qeveri është nën çdo nivel kur flitet për peletin si masë.
Ndërsa, deputetja Hykmete Bajrami, vazhdoi me kritikat ndaj masave të qeverisë dhe tha se këto masa kanë për qëllim të legjitimojnë mungesën për furnizimin e qytetarëve me energji elektrike, sepse sipas saj dihen obligimet e furnizuesit me energji ndaj konsumatorit.
Rizvanolli: Me masat që ka marr qeveria, kursehen 18 milionë euro

(E plotësuar) Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në seancën e Kuvendit, bëri arsyetimin për shqyrtimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë.
Ajo tha se situata me energji vazhdon të jetë e ndjeshme, por tha se Qeveria
ka marrë një sërë hapash në të mirë të konsumatorëve.
Rizvanolli tha se Qeveria ka marrë një sërë masash detyruese për kursimin e energjisë, si ndalimin e shitjes së drurit jashtë vendit, çka ndihmon edhe në prodhimin e peletit.
“Në funksion të qytetarëve qeveria ka ndarë 6 milionë euro për ndihmë në këtë drejtim. Qytetarët kanë aplikua për kalda që do ta kursejnë rrymën, në bazë të këtyre masave pritet kursimi i energjisë për 18 milionë”, tha Rizvanolli.
Sipas saj qytetarët që kursejnë rrymën do të kenë edhe ndihma të tjera për energjinë e kursyer.
LIVE| Nis seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për situatën energjetike

Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për situatën energjetike në vend.
Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e djeshme, përcaktoi agjendën e punës së Kuvendit për këtë javë dhe vendosi që sot, Kuvendi të mbajë seancë të jashtëzakonshme.
Kjo, për të shqyrtuar vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë.
Ndërkaq, në bazë të vendimit paraprak të seancës plenare, po sot, në orën 11:00, Kuvendi do të mbajë seancë plenare, në të cilën pritet të shqyrtohen për herë të dytë tri projektligje.
Kuvendi i Kosovës sot mban dy seanca
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e djeshme, të drejtuar nga kryetari Glauk Konjufca, përcaktoi agjendën e punës së Kuvendit për këtë javë. Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës vendosi që, konform kërkesës së 40 deputetëve nënshkrues, sot në orën 10:00, Kuvendi të mblidhet seancë të jashtëzakonshme.
Kjo, për të shqyrtuar Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë.
Ndërkaq, në bazë të vendimit paraprak të seancës plenare, po sot, në orën 11:00, Kuvendi do të mbajë seancë plenare, në të cilën pritet të shqyrtohen për herë të dytë tri projektligje: Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg dhe projektligji për mbështetjen e punëve publike, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për noterinë.
Ndërsa, seanca e radhës do të mbahet të enjten, më 10 nëntor. Bëhet e ditur se në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.























