EULEX-i përforcon njësitë edhe me 23 karabinierë italianë
M.Shefkiu/RTKlive
Pas situatës në veriun e Kosovës, ku qindra policë serbë e lanë detyrën, misioni i BE-së për sundimin të Ligjit (EULEX) ka rritur kapacitet policore. Pas njoftimit që ka lëshuar mbrëmë shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell, edhe EULEX-i njofton sot për ardhjen e një kontingjenti prej 23 karabinierëve italianë.
“Një njësit policor i specializuar rezervë (NJPSR), i përbërë nga 23 xhandarë nga karabinierët italianë dhe anëtarë të Forcës së Xhandarmërisë Evropiane (EUROGENDFOR), u zbarkua përkohësisht në Kosovë për t’i përforcuar kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar (NJPS) ekzistuese të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në njoftim.
Ky njësit i xhandarëve u dislokua në Kosovë, siç thuhet, si përgjigje ndaj nevojës së misionit për të pasur forca shtesë në terren dhe për t’i mbështetur më mirë homologët tanë kosovarë, nëse kjo kërkohet dhe nëse është e nevojshme.
“NJPS-ja e rregullt e EULEX-it, e përbërë nga 105 policë polakë, është e stacionuar në Mitrovicë dhe është reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë, që është pjesë përbërëse e mekanizmit me tre nivele të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti, kurse KFOR-i i treti”, potencon njoftimi i EULEX-it.
NJPSR-ja e sapozbarkuar aktualisht përbëhet nga 23 xhandarë nga karabinierët italianë dhe është e vendosur në Kompleksin Mbështetës të EULEX-it, në Fushë Kosovë.
Ky njësit është nën komandën e EULEX-it dhe do ta mbështesë Misionin në përmbushjen e detyrave të tij, përfshirë ato si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë nëse është e nevojshme.
“Siguria e grave, burrave, vajzave dhe djemve nga të gjitha komunitetet në Kosovë është prioriteti kryesor i EULEX-it dhe zbarkimi i Njësitit Policor të Specializuar Rezervë e tregon vendosmërinë e EULEX-it që të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin e Kosovës dhe të kontribuojë në sigurinë e popullatës së saj”, thuhet, po ashtu, në njoftimin e EULEX-it.
Ndryshe, sipas njoftimit, kjo është hera e dytë që një NJPSR zbarkohet në Kosovë. Herën e parë ata kanë ardhur në mars 2022. “EULEX-i e përforcoi përkohësisht NJPS-në e tij me një Njësi Rezervë prej 70 xhandarësh nga Portugalia dhe Franca. Xhandarët u larguan nga Kosova më 18 korrik” , thuhet në njoftimin e Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit.























