Arsimi vazhdon të përballet me mungesën e inspektorëve
Në Fokus

Arsimi vazhdon të përballet me mungesën e inspektorëve

Ardiana Hajzeri /Radio Kosova

Inspektorati i Arsimit aktualisht funksionon vetëm me 30 inspektorë në gjithë Kosovën, numër shumë i vogël krahasuara me kërkesat që ka ky sektor. Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se ka shpallur konkursin për pranimin  e 20 inspektorëve të tjerë.

Si çdo fushë tjetër në vend ashtu edhe arsimi vazhdon të përballet me numrin e vogël të inspektorëve, marrë parasysh kërkesat e shumta që vijnë nga institucionet arsimore parauniversiatare.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit në një përgjigjeje më shkrim i tha Radio Kosovës se ka hapur konkursin për pranimin e 20 inspektorëve arsimorë.

“Inspektorati i Arsimit deri tash ka funksionuar me kapacitete shumë të limituara, pra me 30 inspektorë të cilët mbulojnë tërë Republikën  e Kosovës. Ditë më parë është votuar në qeveri Komisioni Intervistues për rekrutimin e 20 inspektorëve. Ministria e Arsimit është e fokusuar që rekrutimi i inspektorëve të bëhet sipas 7 fushave të kurrikulës arsimore, duke plotësuar vendet e lira me kuadrin që e kemi në mungesë. Për vitin e ardhshëm MASHT-i, ka planifikuar të pranojë 20 inspektorë të tjerë të arsimit. Me rritjen e numrit të inspektorëve të arsimit, Ministria  e Arsimit synon që të sigurojë cilësi në arsim, të jetë më afër problemeve në shkolla, të ketë më shumë mundësi të monitorojë e inspektojë institucionet arsimore, të vlerësojë performansën e mësimdhënësve, drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve si dhe performansën e shkollës, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit”.

E njohës të arsimit po vlerësojnë se rritja e numrit të inspektorëve nuk pritet të përmirësojë gjendjen, pasi problem vazhdon të mbetet struktura aktuale e vlerësimit të mësimdhënësve dhe licencimit të tyre.

Rinor Qehaja, nga Instituti “ Edguar”, i tha Radio Kosovës se e rëndësishme është rritja e autonomisë se shkollave për vlerësim të brendshëm dhe të mësimdhënësve.

”Është shumë evidente që mungojnë inspektorët, inspektorët kompetentë që mund të zbatonin legjislacionin aktual që na garanton sigurimin e cilësisë në arsimin parauniversitar. Mirëpo, në gjykimin tonë edhe po të rritej numri i këtyre inspektorëve, është struktura aktuale e vlerësimit të mësimdhënësve dhe licencimit të tyre që e bën të pamundur një vlerësim meritor dhe cilësor nga cilido inspektor. Pra, kemi problem në strukturë të vlerësimit jo në numër të inspektorëve. Ajo që ne kërkojmë është që të rritet autonomia e shkollës për vlerësim të brendshëm dhe të mësimdhënësve nga komuniteti dhe drejtori i shkollës”, njofton Qehaja.

Sipas Ligjit për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës, Inspektorati i Arsimit është organ ekzekutiv qendror për sigurimin e cilësisë, në varësi të drejtpërdrejtë të ministrit të MASHTI – t. Për këtë qëllim Inspektorati i Arsimit kryen  inspektime të ndryshme në të gjitha institucionet edukative, arsimore dhe aftësuese në Republikën e Kosovës.


MË SHUME NGA Në Fokus