Kthimin e serbëve në institucione e vendos Beogradi, vlerësojnë analistët
Fadil Sertolli / RTKlive
Kthimi i serbëve në institucionet e Kosovës varet plotësisht nga qëndrimi i autoriteteve në Serbi. Kështu vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.
Drejtuesit e Listës Serbe, më 5 nëntor, vendosën që të mos jenë më pjesë e institucioneve të Kosovës, teksa përveç dorëheqjeve të këtij subjekti politik nga Kuvendi dhe Qeveria, serbët e veriut janë dorëhequr edhe nga gjyqësori dhe policia.
Njohësi i rrethanave politike, Dorajet Imeri ka thënë se serbët e Kosovës janë plotësisht të instrumentalizuar nga Serbia.

“Kthimi ose jo i tyre në institucionet e Kosovës varet nga qëndrimi politik i Beogradit, i cili madje edhe i dekoroi për veprimin e bërë. Kjo tregon se ky veprim i tyre është zbatuar në përpikëri, prandaj janë dekoruar”, ka theksuar Imeri për RTKlive.
Sipas tij, Serbia synon që ta mbajë të tensionuar situatën, për ta paraqitur atë si gjendje reale të pakicës serbe dhe duke e përdorur në negociata e duke e minuar Kosovën dhe stabilitetin e saj.
Ndërkaq, analisti Blerim Burjani mendon se presidenti serb, Aleksander Vuçiq e shfrytëzoi politikisht qortimin që iu bë Kosovës për çështjen e targave nga SHBA e BE.
“Mosshtyrjen e afatit për targa nga ana e Qeverisë së Kosovës Vuçiq e shfrytëzoi për qëllime të Serbisë. Vuçiq i tërhoqi plotësisht serbët e Kosovës nga institucionet dhe tash aleatët tanë po rikërkojnë shtyrjen e afatit për targa”, ka thënë Burjani për RTKlive.
Kjo, sipas tij, tashmë i legjitimon kërkesat e Serbisë që afati për targat të shtyhet ose të mbesin targat KS dhe të bëhet themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe.
“Serbia luan në lojën e ‘status quo’-s si doktrinë tashmë e njohur e Vuçiqit - progres asnjëherë në dialog me Kosovën e kthim në konflikt të ngrirë gjithmonë. Pra, ai luan në këtë model që ta mbajë zgjidhjen gjithmonë peng”, ka shtuar Burjani.
Tani, sipas tij, janë dy rrugë për të zgjidhur problemin: e para që të pranohet këshilla e SHBA-së dhe BE-së për targat dhe të fillohet me themelimin e Asociacionit dhe e dyta, që të bëhet organizimi i zgjedhjeve në katër komunat në veri dhe të bëhet zëvendësimi i deputetëve të Listës Serbe me deputetë të partive tjera nga ky komunitet.
“Ky opsion do ta largonte plotësisht Listën Serbe nga ndikimi politik në Kosovë dhe do të ishte një konfigurim i ri i serbëve të Kosovës”, është shprehur Burjani.
Sidoqoftë, ai mendon se tani zgjidhja më e mirë është që të ketë marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që t’i jepet fund doktrinës serbe për ri-konfigurim të konfliktit të ngrirë.























