“Sofia” –filmi që duhet shikuar nga të gjithë
Haki Kika/Radio Kosova
Filmi ” Sofia “ i cili po shfaqet nëpër kinematë e ndryshme në Shqipëri, Kosovë e Evropë, sjell të vërtetën e mikpritjes e dashurinë si vlera që shlyen kufijtë në Ballkanin e trazuar nga luftërat shekullore. “Sofia”, është filmi që duhet shikuar nga të gjithë, veçmas nga serbët.
Repertoarit të kinemave në Prishtinë e Tiranë por edhe qyteteve tjera (në Evropë e gjetke) u është bashkuar filmi shqiptar “Sofia”, në regji te Eduart Grishaj. Filmi u dha premierë edhe në Prishtinë në prani të shumë të ftuarve, producentëve, regjisorit e aktorëve.
E para që të bije në sy janë pamjet e bukura, natyra e virgjër e maleve shqiptare e cila më pas shkrihet në botën e asfaltuar të ditëve të sotme, e që na bën më dije se ngjarje e filmit është e zhvendosur në dy kohë të ndryshme.
Filmi “Sofia”, shtjellon ngjarjen në dy periudha kohore:ajo e luftës së dytë botërore dhe kjo e ditëve të sotme. Një paralele e gjetur regjisoriale e cila për fat të keq nuk ka ndryshuar edhe pas 80 viteve, prej nga është marrë motivi. Pra kemi të bëjmë me një film me skena retrospektive në realizimin e të cilave duhet një punë e madhe dhe një regji dhe teknik krejt e veçantë. Çuditërisht, këto skena të marra nga motivet e së shkuarës ishin edhe pika më e fortë e filmit “Sofia”. Tregimi që vjen nga pena e artë e françeskanit At Zef Pëllumbit, sjell motivin e mikpritjes shqiptare përmes të vërtetës, jo legjendës.
Filmi “Sofia”,është i bazuar në një ngjarje të vërtetë dhe flet për mikpritjen e pashembullt shqiptare deri aty ku dera i hapet edhe armikut. Në fakt kështu kishte ndodhur, pas pushtimit të Shqipërisë nga forcat e atëhershme jugosllave; një ushtar i plagosur i bije në derë një malësoreje shqiptare, e cila siç e do zakoni e fut në shtëpi për ta mjekuar, ani pse ishte armik?!
E zonja e shtëpisë quhet Sofie Leka (Rita Gjeka), një malësore që si shumë të tjerave, burrat e djemtë u ishin shpërndarë maleve, në mbrojte të atdheut. E portretizuar nga aktorja Rita Gjeka roli i nënë Sofias ishte i vështirë e shumë kompleks, por me të cilin aktorja Gjeka mëshirohet më së miri. Ajo e ndihmon dhe e shpëton ushtarin armik edhe pse ballafaqohet me vrasjen e të birit nga po ai.
Regjisori Grishaj kishte zgjedhur që në dhomën e pritjes së shtëpisë të ishin të shtrirë edhe komandanti i plagosur serb edhe i biri i saj i vrarë. Një skenë e shumë e rëndë e cila të mbushte me emocione të forta e që gjithçka kulmonte me kujën e gjyshes së djalit, të cilën mrekullisht e luan aktorja e njohur Tinka Kurti.
Xhubleta, veshja e tradicionale shqiptare, gegërishtja e bukur, ambientet e kullave të vjetra, shtojnë madhështinë e mikpritjes në kohë lufte. Pa shumë ngarkesa por, me thjeshtësi e origjinalitet, regjisori Grishaj në këtë aspekt vetëm sa e kishe ndihmuar filmin. Qartë,thjesht,bukur.
Filmi” Sofia”, siç e thamë ,është i ndarë në dy kohë. Në ditët e sotme është mbesa e ushtarit jugosllav(serb), e cila vjen në Shqipëri në kërkim të varrit të së ndjerës tashmë Sofie Lekes, që kishte shpëtuar stërgjyshin e saj dhe që të gjitha kujtimit ai i kishte ruajtur në një ditar, të cilin ajo e përdor si udhërrëfyes. Në shenjë nderi dhe respekti që i kishte shpëtuar jetën ushtari serb e kishte pagëzuar mbesën e saj me emrin Sofia. Pra tani kemi edhe një tjetër Sofi.
Në kërkim e sipër të nënë Sofias , Sofia (serbe), interpretuar në mënyrë brilante nga aktorja e re Rozafa Çelaj dashurohet me një djalë shqiptar (Antonio Kodrinaj),i cili e ndihmon atë në kërkimin e nisur. Por, mes tyre lind një dashuri pothuajse e pamundur mes një djali shqiptarë dhe një vajze serbe. Megjithatë, të rinjtë ndjekin rrugën e zemrës pavarësisht paragjykimeve të përkatësisë së tyre etnike dhe raporteve jo të mira fqinjësore.
Për raporte jo të mira mes fqinjëve serb e shqiptarë dëshmon edhe fakti që filmi “Sofia”, nuk është pranuar të shfaqet në kinematë në Serbi, ngase siç kanë arsyetuar distributoret, media serbe dhe opinioni i atjeshëm ende nuk janë të gatshme ta pranojnë një gjë ta tillë, apo ta plasojnë kulturën e në këtë rast mikpritjen shqiptare në Serbi?!
Në pyetjen nëse përmes artit mund te krijohen ura të reja të komunikimit serbo-shqiptar, regjisor Grishaj shkurt tha: –jo, jo një gjë e tillë është pothuajse e pamundur pavarësisht dëshirës së madhe që filmi të shfaqet edhe në Serbi, nuk është pranuar. Për idenë e mospranimit, më së miri dëshmon skena kah fundit i filmit kur ushtari jugosllav pas tetë muajve shërimi në shtëpinë e Sofia Lekës, vritet sapo të shkel në territorin jugosllav, vetëm pse në kokë mbante plisin si shenjë nderimi për shqiptaret që ia kishin shpëtuar jetën.
Filmi “Sofia”, është xhiruar për tre vite, pos në veri të Shqipërisë ka skena të xhiruara edhe në Serbi. Por siç na tha vetë regjisor Grishaj, atje ende nuk janë të gatshëm ta shohin, edhe pse filmi “Sofia”, duhet të shikohet pikërisht në Serbi. Kjo për dy arsye ; që ta kuptojnë të vërtetën dhe largojnë frikën, paragjykimet dhe urrejtjen përmes dashurisë.
Filmi në regji te Eduart Grishaj, i cili skenarin e ka në bashkëpunim me Fatmira Nikollin e Zefina Hasanin sjell në ekranin e madh aktorët: Rozafa Çelaj, Antonio Kodrinaj, Rita Xheka, Adem Karaga,Çun Lajçi,Tinka Kurti,Alfred Trebicka,Ilire Vinca,Bajrush Mjaku, Simon Shkreli, Edon Rizvanolli... Pothuajse, pjesa më e madhe e aktoreve bëjnë figura shumë të mira në film. Rita Gjeka spikat në rolin e nënë Sofias. Ajo mishërohet aq fort me rolin sa që në momente harron që je duke shikuar një film. Nga ana tjetër prania e aktoreve Tinka Kurti e Çun Lajqi veçse ia shtojnë madhështinë filmit. Por, në filmin Sofia befasi e këndshme ishin dy aktorët e rinj Rozafa Çelaj e Antonio Kodrinaj që luanin natyrshëm. Këtu do ta veçoja sidomos Rozafa Çelajn e cila ka shkëlqyer me natyrshmërinë dhe lirinë e saj prej aktoreje. Aktori Adem Karaga në film portretizon ushtarin serb të cilin e luan mjeshtërisht, madje Karaga luante me emocione aq të forta sa që siç thonë në Shkodër fjalët ishin fukarallëk. Mjaftonte mënyra e tij e lojës dhe skena kur shtrihej në shtëpi bashkë me djalin e vrarë të nënë Sofias do të ishte edhe më e fuqishme.
Fundi i filmit “Sofia”, vjen me bashkimin e të dy të rinjve të dashuruar dhe të jep mesazhin që dashuria triumfon mbi të gjitha. Por, sa është në vërtetë kështu.? Sa janë ballkanasit në gjendje të pranojnë fqinjin si të mirëqenë? Kjo është një pikëpyetje e madhe! Mund të futesh në zemrën e dikujt tjetër por, jo edhe në territorin e tjetrit. Ashpërsia ballkanike veçmas për territorin mbetet ende mollë sherri ngase në Ballkanin e trazuar ende veprohet në baza fisnore. Fatkeqësisht shoqëritë fisnore sot në botë nuk shihen ndryshe pos si shoqëri primitive.
Edhe pse filmi”Sofia”, përmes të vërtetës provon të sjell një anë më të mirë, e vërteta edhe sot nëpërkëmbet nga të tjerët. Ajo çka ne s’mund të nëpërkëmbim është që filmin “Sofia”, duhet ta shohim të gjithë, veçmas ata në Serbi, si një film më 4 yje nga pesë sosh!























