Chollet bisedon me Vuçiqin: I zhgënjyer nga vendimi i Kosovës për targat
J.Musliu/RTKlive
“Mirë të flasësh me Presidentin Vuçiq”. Kështu shkroi ndër të tjera në llogarinë e tij në Twitter, këshilltari special amerikan, Derek Chollet.
Ai njoftoi se sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sipas tij, temë e diskutimit, ishte vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat.
Chollet ka thënë se me presidentin serb ka ndarë zhgënjimin amerikan lidhur me vendimin e Kosovës që të mos e shtyjë zbatimin e vendimit për targat.
“Ndava zhgënjimin tonë për vendimin e Kosovës që të mos shtyjë regjimin për tabelat e regjistrimit”, deklaroi ai.
“Diskutuam përkushtimin tonë për të ulur tensionet, për dialogun e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe avancimin në rrugën euro-integrimit për Serbinë”, shkruan në njoftimin e Chollet.
Qeveria e Kosovës vazhdon të zbatojë vendimin e saj për targat të ciline ka ndarë në disa faza. Aktualisht, është duke u zbatuar pjesa e fletëqortimeve.
























