Shumica e fëmijëve nuk janë përfshirë në edukimin e hershëm
Në Fokus

Shumica e fëmijëve nuk janë përfshirë në edukimin e hershëm

Ardiana Hajzeri/Radio Kosova

Vetëm 19 për qind e fëmijëve nga 0 deri në 6 vjeç janë të përfshirë në edukimin e hershëm, si pasojë e mungesës se çerdheve e sidomos në zonat rurale. Për përmirësimin e kësaj gjendjeje Ministria e Arsimit ka planifikuar ndërtimin e 16 çerdheve në vitin 2022/23.

Edukimi parashkollor paraqet nivelin e parë të edukimit, më konkretisht moshën 0-6 vjeç gjatë të cilës fëmijët zhvillohen dhe edukohen  në institucione parashkollore.

Sipas të dhënave të Ministrisë  së Arsimit, vetëm 19 për qind e fëmijëve të kësaj moshe janë të përfshirë në edukimin e hershëm. Se shumë prindër po përballen me këtë problem e thotë në një përgjigje për Radio Kosovën njëra ndër nënat e cila përballët më këtë shqetësim, ku si pasojë e mungesës së institucioneve edukative arsimore në fshatin e saj po detyrohet që fëmijët t’i mbajë në shtëpi.

“Shumë problem është kjo çështje për nënat dhe fëmijët e sidomos për ne që jetojmë në zonat rurale, se nuk kemi kopshte afër. Se me të vërtetë është shumë e nevojshme që fëmijët të jenë në proces edukativ. Por për shkak të mungesë së kopshteve po detyrohemi që fëmijët t’i mbajmë në shtëpi”,thotë një nënë.

E për përmirësimin e kësaj gjendjeje Ministria e Arsimit ka planifikuar ndërtimin e çerdheve të reja dhe  rinovimin e  adaptimin e disa të tjerave. Këshilltarja për media në Ministrinë e Arsimit, Edona Kutleshi, i tha Radio Kosovës se kjo ministri ka planifikuar ndërtimin e 16 çerdheve të reja në vitin 2022/23.

 “ Në fund të muajit shtator Ministria e Arsimi ka nënshkruar kontratat për ndërtimin e 5 çerdheve të reja. Kurse, për vitin 2023 është planifikuar ndërtimi i 11 çerdheve të tjera. Po ashtu, do të bëhet rinovimi dhe adaptimi i 16 objekteve shkollore për fëmijë”, tha Kutleshi.

Njohës të çështjeve të arsimit po vlerësojnë se edukimi në fëmijërinë e  hershme është shumë i rëndësishëm për arsye se do të ndikojë tutje në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve. Rinor Qehaja, nga Instituti   “Edguard”, i tha Radio Kosovës se Kosova ka nevojë për ngritjen e  kapaciteteve infrastrukturore dhe vetëdijesimin e qytetarëve për rolin e edukimit në fëmijërinë e hershme.

“Rritja e përfshirjes në edukimin e hershëm është shumë e ndërlidhur me kufizimet në kapacitete infrastrukture dhe vetëdijesimin për rolin e edukimit në fëmijërinë e hershme. Shpresoj shumë që rritja e investimeve në rajone, përtej kryeqytetit, do të rrisë tutje pjesëmarrjen dhe investimi që në këtë drejtim, është shumë i nevojshëm”, tha Qehaja.

Qeveria e Kosovës muaj me parë ka miratuar Projektligjin për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme. Me ligjin e ri,  Edukimi Parafillor do të jetë i obliguar nga viti shkollor 2023-2024.


MË SHUME NGA Në Fokus