Nis “Forumi i Paqes” në Paris, Kurti e Osmani pjesë e paneleve
BKT
Lajme

Nis “Forumi i Paqes” në Paris, Kurti e Osmani pjesë e paneleve

B. Halimi / RTKlive

Ka nisur në Paris “Forumi i Paqes”, i cili ka mbledhur liderë nga vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Edicioni i pestë i këtij forumi dyditor është titulluar “Dalja nga kriza e shumëfishtë” dhe i kushtohet sfidave të mëdha të ditëve të sotme, duke përfshirë ndryshimet klimatike, valën e pandemisë së virusit korona, thellimin e pabarazisë dhe konfliktet gjeopolitike me pasoja globale.

Në mesin e folësve në këtë forum do të jenë edhe presidenti francez, Emmanuel Macron dhe shefi për politikën e jashtme të BE-së, Josep Borell, teksa në panel diskutimi nga ora 13:00 do të jetë kryeministri  Albin Kurti, kurse nga ora 14:15 do të jetë  presidentja Vjosa Osmani.

Pjesëmarrës i forumit është edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe liderë tjerë nga Ballkani, përfshirë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Forumi i Paqes” nisi në vitin 2018 me nismën e presidentit Macron, në 100-vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, derisa synimi tij është promovimi i multilateralizmit.

Gjatë qëndrimit në Paris për punimet e këtij forumi, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, të enjten, kanë zhvilluar takim me presidentin francez, Macron, derisa sot kreu i ekzekutivit është takuar edhe me shefin për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borell.


MË SHUME NGA Lajme