Policia thotë se ka nisur hetimet për grafitet në Mitrovicën e Veriut
Foto: Arlinda Sejda / RTK
Në Fokus

Policia thotë se ka nisur hetimet për grafitet në Mitrovicën e Veriut

B.Halimi / RTKlive

(E plotësuar) Në rrugë dhe objekte të ndryshme në Mitrovicën e Veriut, të dielën, janë shfaqur grafite në gjuhën serbe, nëpërmjet të cilave bëhet thirrje për rezistencë nga 21 nëntori, datë kur Qeveria e Kosovës ka paraparë që të nisë gjobitjen e pronarëve të automjeteve me targat ilegale.

“Që nga 21 nëntori është detyrë e të gjithëve të rezistojnë në çdo hap! Brigada Veri”, thuhet në grafitet që janë shfaqur në sheshin kryesor të Mitrovicës së Veriut.

Grafite të tilla nga e ashtuquajtura ‘Brigada Veri’ janë shfaqur edhe më herët.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka konfirmuar për RTK-në se i ka nisur hetimet në lidhje me shfaqjen e këtyre grafiteve.

“Me datë 13.11.2022 gjatë natës, në zonën e drejtorisë rajonale të Mitrovicës Veri, janë hasur disa grafite me mbishkrime të ndryshme në gjuhën serbe. Policia e Kosovës, me njësitet e saj ka ndërmarr veprimet e nevojshme policore, për hetim dhe procedim të mëtejmë, lidhur me grafitet e shkruara në disa mure dhe rrugë”, ka theksuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Tensioni i situatës në veri erdhi si pasojë e dorëheqjes së Listës Serbe nga institucionet e vendit, gjë e cila u pasua edhe nga serbët pjesëtarë të policisë, doganave dhe gjyqësorit. Dorëheqjet e tyre, ata, i arsyetuan me vendimin e Qeverisë së Kosovës, e cila nga 1 nëntori ka nisur zbatimin e planit të saj prej tri fazash për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia.


MË SHUME NGA Në Fokus