Hoti: Debati për dialogun të zhvillohet në Kuvend
B. Halimi / RTKlive
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë e vendit për mostransparencë në raport me propozimin franko-gjerman për marrëveshjen Kosovë-Serbi.
Ish-kryeministri i vendit, ka kërkuar nga ekzekutivi që ta sjellë në Kuvend debatin formal për dialogun, në mënyrë që të ndërtohet një konsensus politik.
“Deri tani kemi parë zero transparencë nga Qeveria ndaj Kuvendit të Kosovës, si dhe publikut në përgjithësi, për propozimin franko-gjerman. Nëse Qeveria vlerëson se ky propozim është bazë e mirë për të lëvizur më lehtë drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve dhe njohjes reciproke, do të duhej të informohej Kuvendi dhe publiku në mënyrë që të sigurohej konsensusi politik dhe shoqëror. Për më tepër, informimi i Kuvendit nuk është në diskrecion të Qeverisë, por është obligim kushtetues i Qeverisë ndaj Kuvendit pavarësisht se çfarë mendon Qeveria për këtë propozim”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ai ka theksuar se është e domosdoshme që debati formal mes forcave politike për dialogun të zhvillohet në Kuvend.
“Vetëm kështu (1) sigurohet transparenca ndaj publikut, (2) përmbushet obligimi kushtetues për raportim dhe (3) ndërtohet konsensusi politik e shoqëror. Asnjëherë Kosova nuk ka pasur opozitë më mbështetëse për dialogun sesa tani. Kjo rrethanë duhet të shfrytëzohet për të lëvizur përpara”, ka shtuar Hoti.























