Zgjedhjet në katër komunat në veri, mund të mbahen me 18 dhjetor
BKT
Foto: Qëndresa Duraku-Xharra/RTK
Lajme

Zgjedhjet në katër komunat në veri, mund të mbahen me 18 dhjetor

Jeton Musliu/RTKlive

(Plotësuar) Partitë politike në vend, kanë dhënë qëndrimet e tyre para presidentes Vjosa Osmani, për caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat e Kosovës, si në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan .

Pas takimit me drejtues të partive politike pjesëmarrëse, presidentja Osmani deklaroi se janë ftuar në takim, të gjitha partitë politike të regjistruara në KQZ dhe në komunat ku mbahen zgjedhjet.

Ajo tha se sipas ligjit, brenda dhjetë ditësh duhet të caktohet data e zgjedhjeve  e që ky afat i fundit, pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave atje, është nesër (e martë).

“Dhe sipas ligjit, ato duhet të mbahen jo më larg se data 18 dhjetor”, deklaroi presidetja Osmani.

Ajo tha se nga të gjitha partitë prezente, ka kërkuar datën 18 dhjetor, në mënyrë që të bëhen përgatitjet e nevojshme.

Osmani u shpreh se data tjetër është 11 dhjetor, por e cila jep më pak kohë për përgatitje qoftë të partive, por edhe organeve të sigurisë dhe KQZ-së.

Presidentja  deklaroi se megjithatë data 18 dhjetor është më e pranushme, por pasi të merret qëndrimi i KQZ-së.

“Sot në mbrëmje ose më së largu nesër në mëngjes, do ta caktojmë datën e zgjedhjeve për katër komunat në veri të vendit”, tha Osmani, duke iu rikujtuar serbëve të Kosovës se këto zgjedhje  mbahen si pasojë e dorëheqjes së kryetarëve të komunave.

Nis takimi i presidentes me partitë, pritet data për zgjedhjet në veri

Qëndresa Duraku-Xharra/RTK

(Plotësuar) Ka filluar takimi i presidentes Vjosa Osmani me zyrtarë të partive politike në vend, për të caktuar datën e zgjedhjeve lokale të parakohshme, për katër komunat në veri të vendit, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.

Takimi është caktuar të mbahet në orën 14:00 në presidencë.

Në këtë takim, ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, për arsye të ndryshme, po mungojnë drejtues të AAK-së dhe Listës Serbe.

E para nuk pranon të marrë pjesë në këtë takim, duke kërkuar qartësim të situatës me targa, duke u bazuar në kërkesën e SHBA-së dhe BE-së për shtyrje.

Ndërkohë, e dyta ka vendosur të shtyjë kryetarët e këtyre katër komunave, që ishin nga kjo parti, që të japin dorëheqje, gjithashtu në shenjë proteste ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës për targat.

Në anën tjetër, në këtë takim konsultativ, po marrin pjesë Imri Ahmeti nga LDK, Betim Gjoshi nga PDK, Glauk Konjufca nga LVV, Faton Peci nga Lista Guxo, xo Aleksander Jabllanoviq, kryetar i Partisë Serbe të Kosovës, pastaj Nenad Rashiq, kryetar i Partisë  Demokratike Progresive Serbe si dhe nga partitë politike të pakicës turke e boshnjake.

Pritet që pas takimit, mediave tu drejtohet presidentja Vjosa Osmani e cila edhe mund të deklarojë datën e zgjedhjeve të parakohshme në këto katër komuna të Republikës.

Zgjedhjet në veri, presidentja sot takim me krerët e partive politike

Jeton Musliu/RTKlive

Zgjedhjet e  parakohshme në katër komunat e Kosovës në veri të vendit, pritet të mbahen shumë shpejt.

Kjo për shkak të dorëheqjes së parevokueshme të kryetarëve të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq.

Për këtë arsye, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar në takim konsultativ, krerët e partive politike në vend.

Takimi për caktimin e datës së zgjedhjeve në këto katër komuna, do të mbahet në orën 14:00 në presidencë.

Bazuar në ligjin për zgjedhje, në raste të tilla, ato duhet të mbahen brenda 45 ditëve.


MË SHUME NGA Lajme