Kraut: Marrëdhëniet Kosovë-Gjermania të forta, të thellohen edhe më shumë
Pas pjesëmarrjes në hapjen e Forumit Ekonomik “Global Connect 2022”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, takuan ministren për Çështjet e Ekonomisë, Punës dhe Banimit të landit Baden-Württemberg, Nicole Hoffmeister- Kraut. Nga kjo e fundit morën mbështetje për thellimin e mëtejme të bashkëpunimit.
Sipas një njoftimi lëshuar nga Qeveria, ky takim ishte shumë pozitiv, derisa kryeministri Kurti ka folur për raportet e mira ndërmjet dy vendeve dhe popujve si dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit me theks në ato në fushën e ekonomisë dhe shkëmbimeve tregtare.
“Në vitin 2021 eksportet e Kosovës për në Baden-Württemberg janë rritur për 1/3 në krahasim me vitin pararendës, që flet për shtim të bashkëpunimit tregtar. Me zhvillimet e fundit pozitive në vend, Republika e Kosovës paraqet mundësi të mirë për kompanitë gjermane dhe Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve ITP në Prizren është një hapësirë e përshtatshme për këtë qëllim”, ka thënë Kurti në këtë takim.
Sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, ministrja Hoffmeister- Kraut u shpreh se ato janë të forta dhe se është e bindur që mund të thellohen edhe më tej.
“Gjermania ka mirëpritur rreshtimin e Kosovës me partnerët e saj evropian në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Duke e përgëzuar kryeministrin Kurti për reformat e ndërmarra dhe për indikatorët pozitivë ekonomikë, ministrja Hoffmeister- Kraut dha mbështetjen e plotë të saj dhe landit që përfaqëson për punën e Qeverisë”, ka thënë Hoffmeister- Kraut, njoftimin e Qeveria.
Ministrja gjermane e landit Baden-Württemberg ka thënë po ashtu se në të ardhmen e afërt do ta vizitojë Kosovën me qëllim fuqizimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dypalësh.























