Lajçak pas takimit me Bislimin, lë të kuptohet se nuk ka zgjidhje për targa
J.Musliu/RTKlive
Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar me Zëvëndëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi në Bruksel.
Siç ka njoftuar vetë Lajçak me një postim në llogarinë e tij në Tëitter, me Bislimin ka diskutuar për situatën aktuale të krizës në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Në mënyrë të veçantë për çështjen e targave të automjeteve”, deklaroi Lajçak, duke bërë thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje, raporton RTKlive.
“Ne urgjentisht kemi nevojë të gjejmë zgjidhje për të siguruar stabilitet dhe siguri në teren”, deklaroi Lajçak, pas takimit me Bislimin i cili është edhe shef i delegacionit të Kosovës për bisedimet Kosovë-Serbi.
“Çdo eskalim i dhunës është i papranueshëm”, shkroi Lajçak.
Përndryshe, gjatë ditës së sotme, zëdhënësi Bashkimi Evropian, Peter Stano, deklaroi se unioni pret nga Kosova dhe Serbia që problemet t’i zgjidhin me dialog, përfshirë edhe situatën e fundit të krijuar në veri.
Peter Stano, zëdhënës i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, deklaroi sot në Bruksel se Bashkimi Evropian ka qenë shumë i qartë, pas takimit të Këshillit, në lidhje me këtë çështje dhe se çfarë vendet anëtare presin nga Kosova dhe Serbia.
“Ky është progresi në dialog, de-eskalimi dhe përparimi konstruktiv”, tha Stano, i pyetur për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, raporton RTKlive.
Ai tha se BE-ja është duke ndihmuar Kosovën e Serbinë që të gjejnë një zgjidhje. “Por nuk është BE-ja një nga ata më të interesuarirt për gjetjen e zgjidhjes, pasi u takon të dy palëve dhe është përgjegjësi e tyre, që të gjejnë rrugëzgjidhje nga situata aktuale”.
Stano nuk tregoi nëse Petar Petkoviq, shef i delegaconit të Serbisë për bsiedime me Kosovën ndodhet aktualisht në Bruksel, duke kërkuar që gazetarët për një cështje të tillë, të pyesin në Qeverinë e Serbisë.























