Dialogu e targat biseda në takimin Bislimi - Lajçak
BKT
Foto: Qeveria e Kosovës
Lajme

Dialogu e targat biseda në takimin Bislimi - Lajçak

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, zhvilloi takime dypalëshe në Bruksel me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Siç ka bërë të ditur njoftimi qeveritar në këtë takim mes numrit dy të Qeverisë dhe emisarit evropian për dialogun, Miroslav Lajçak u diskutua mbi rrugën përpara në procesin e dialogut.

“Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi rëndësinë e fokusimit të bisedimeve në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se nuk duhet të lejojmë shpërqendrime të qëllimshme nga bisedimet për normalizimin e plotë nga veprime që synojnë përshkallëzimin në terren”, citon komunikata zëvendëskryeministrin, Bislimi.

Tutje aty thuhet se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj dialogut parimor. “Jemi të interesuar të ndërtojmë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë”.

Bëhet e ditur se Bislimi ka përsëritur interesimin e Kosovës për të vazhduar me takime të rregullta në Bruksel, për elementet e normalizimit të plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër.

Në fund thuhet se palët diskutuan gjithashtu dhe opsionet për konvertimin e suksesshëm të të gjitha targave ilegale, në ato legale.

Pak më parë edhe emisari Lajçak në një postim në llogarinë e tij në Twitter, tha se me Bislimin  ka diskutuar për situatën aktuale të krizës në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne urgjentisht kemi nevojë të gjejmë zgjidhje për të siguruar stabilitet dhe siguri në teren”, deklaroi Lajçak, sipas të cilit “çdo eskalim i dhunës është i papranueshëm”.


MË SHUME NGA Lajme