Partia e Kamberit e para në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar-Video
Baki Rexhepi/RTK-Preshevë
Zgjedhjet për Këshillin Nacionale Shqiptarë në Serbi të mbajtura të dielën, në bazë të rezultateve preliminare kanë nxjerr të parën listën e Partisë për Veprim Demokratik. Kryetari i PVD-së njëherësh deputeti i vetëm shqiptarë në Serbi, e ka quajtur fitoren e PVD-së fitore të shqiptarëve në Luginë.
“E kemi theksuar edhe gjatë fushatës zgjedhore, ne kërkojmë votën për PVD-në dhe për kandidatin tonë, por Këshillin do të duhet ta bëjmë për shqiptarët. Sepse janë tema që prekin interesin e secilit shqiptarë këtu dhe janë tema të cilat janë të ndjeshme për gjithë problematikat këtu”, deklaroi Kamberi.

E bartësi i listës së PVD-së, për zgjedhjet e Këshillit Kombëtarë, Ragmi Mustafi, ka thënë se do të vazhdojnë presionin ndaj Serbisë për më shumë të drejta për shqiptarët.
“Lugina e Preshevës ka dëshmuar se nuk pranon instrumentalizimin, nuk pranon nënshtrimin e nuk pranon dorëzimin. I ka dhënë kahe sa i përket luftës së pa kompromis për gjenerata që kanë sakrifikuar deri më tash për të pasur më shumë Shqipëri e Kosovë në Luginë e për të pasur më shumë Amerikë, e për të udhëhequr e për të quar të gjitha proceset përpara duke bashkërenduar me Prishtinën e Tiranën e duke qenë në partneritet me Bashkësinë Ndërkombëtare në mënyrë që t`i shtohet presioni Republikës së Serbisë për të realizuar të drejtat individuale dhe kolektive të shqiptarëve në Luginë të Preshevës”, deklaroi Mustafi.
Rezultatet zyrtare, Komisioni Republikan Zgjedhorë pritet të i publikoj pas përfundimit të afatit të ankesave.
Ndryshe Këshilli Nacional Shqiptarë është organ përfaqësues i shqiptarëve, i cili ka kompetenca në sferën e Arsimit, Kulturës, Informimit dhe përdorimit të gjuhës dhe shkrimit shqip.























