Reagon NATO, BE e SHBA pas sulmit me raketa ruse në Poloni
BKT
Foto; REL
Lajme

Reagon NATO, BE e SHBA pas sulmit me raketa ruse në Poloni

M.Shefkiu/RTKlive

Liderët evropianë kanë reaguar pas lajmit se raketat ruse kanë rënë në territorin e Polonisë dhe kanë vrarë dy persona, duke e parë këtë si akt shqetësues. Reagime ka pasur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga Aleanca e NATO-s, e cila po mbledh informacione të sakta se çfarë ka ndodhur në kufirin ndërmjet Polonisë e Ukrainës.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në reagimin në Twitter ka thënë se është e  rëndësishme që të vërtetohen gjitha faktet. “Fola me presidentin e Polonisë, Duda, për shpërthimin në Poloni. I shpreha ngushëllimet e mia për humbjet e jetës. NATO po e monitoron situatën dhe aleatët po konsultohen nga afër. Është e rëndësishme që të gjitha faktet të vërtetohen”, ka shkruar Stoltenberg në Twitter.

Ndërsa në reagimin e tij, Shefi i BE-së për politikë të jashtme dhe Siguri, Josep Borell tha se është në kontakt me partnerët për shpërthimin në Poloni që vrau dy persona. “BE shpreh ngushëllimet e përzemërta për familjet e viktimave. Dhjetëra raketa shënjestruan Ukrainën sot. Solidaritet i plotë me Poloninë dhe Ukrainën”, ka shkruar Borell.

Pas raportimeve se raketat ruse goditën territorin polak, ka reaguar edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në një postim në Twitter, ajo tha se është e alarmuar nga raportimet për një shpërthim në Poloni, pas një sulmi masiv rus me raketa në qytetet ukrainase.

“U shpreh ngushëllimet e mia dhe mesazhin tim më të fuqishëm të mbështetjes dhe solidaritetit me Poloninë dhe miqtë tanë ukrainas”, deklaroi Von der Leyen.

Reagime ka pasur edhe nga Departamenti i Shteteve të Bashkuara.

Zëdhënësja e Këshillit për Siguri Kombëtare, Adrienne Watson, ka njoftuar përmes një postimi në Twitter se ka parë raportimet nga Polonia, por se gjithashtu po punojnë në atë për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur.

“Kemi parë raportimet për Poloninë, dhe jemi duke punuar me qeverinë polake për të mbledhur sa më shumë informacione. Nuk mund të konfirmojnë raportimet apo çfarëdo detaji tani. Do të përcaktojmë se çfarë ka ndodhur dhe cilët do të jenë hapat e ardhshëm”, shtoi Watson, citon VOA.

Zëdhënësi i qeverisë polake, Piotr Mueller ka konfirmuar menjëherë këtë informacion, por tha se krerët e shtetit po mbajnë një takim urgjent për shkak të një "situate krize", citon REL. Mediat polake raportuan se dy persona vdiqën në një fshat polak, i cili gjindet pranë kufirit me Ukrainën.

Pas këtij lajmi ka reaguar ministria e Jashtme e Estonisë, ku ka thënë se është e gatshme të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s.

Ndërsa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i është përgjigjur pretendimeve se raketat ruse kanë goditur një fshat në Poloninë lindore. “Kam paralajmëruar prej kohësh se veprimet ruse nuk do të kufizohen vetëm në Ukrainë”.

"Lajmet e fundit nga Polonia janë më shqetësuese. Ne jemi duke u konsultuar ngushtë me Poloninë dhe aleatët e tjerë. Estonia është e gatshme të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s. Ne jemi në solidaritet të plotë me aleatin tonë të ngushtë Poloninë”, thuhet në postimin e kësaj ministrie në Twitter.

Ndryshe, Polonia është vend anëtare e NATO-s dhe ky është sulmi i parë i Rusisë ndaj një shteti të NATO-s ku edhe raportohet për viktima.


MË SHUME NGA Lajme