LDK kërkon nga Kushtetuesja anulimin e Ligjit për çmimet tavan
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Tetë ditë pasi mori shumicën e votave të deputetëve, Ligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese.
Për interpretim në Kushtetuese, ky dokument në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, u deponua nga deputetët Driton Selmanaj e Besian Mustafa.
LDK-ja opozitare konsideron se kjo nismë legjislative shkelë Kushtetutën e Kosovës.
“Ne i kemi adresuar ose i kemi konkretizuar tri nene të Kushtetutës, për të cilat mendojmë që kjo nismë legjislative e cenon rëndë Kushtetutën e Kosovës. Është neni 7, ku flet për vlerat mbi të cilën qëndron Republika e Kosovës, përfshirë edhe ekonominë e tregut. Neni 10 i cili flet për organizimin e ekonomisë së lirë të tregut, ku konkurrenca e lirë është elementi themelor dhe neni 119 ose kapitulli i 9, ku flet për marrëdhëniet ekonomike, e që në fakt aty përfshihen edhe rregullativa dhe ambienti i favorshëm, se si duhet të operojnë operatorët ekonomik, në një ekonomi të lirë të tregut”, ka thënë Selmanaj para gazetarëve.
Ai, në emër të LDK-së i ka bërë thirrje presidentes Osmani, të mos e dekretojë Ligjin, derisa i njëjti si tërësi sipas tyre duhet të anulohet.
“Si LDK kemi vlerësuar që ky ligj duhet në tërësinë e vetë të anulohet. E lusim edhe presidenten që të mos e nënshkruajë dhe Kushtetuesja ta marrë vendimin meritor dhe ta anulojë”, ka shtuar Selmanaj.
Ky subjekt politik po ashtu ka kërkuar nga Kushtetuesja që t’i vendoset masë e përkohshme këtij ligji, në mënyrë që të mos ketë fare efekt e të mos fillojë fare së zbatuari.
“Sepse frika jonë është që nëse eventualisht fillon zbatimi i tij, atëherë mund të shkaktojë çrregullim masiv në ofertat në treg, e si rezultat mund të vijë falimentimi i tregtarëve të vegjël e të mesëm në Kosovë”, tha ai.
Në korrik të këtij viti, LDK-ja pati dërguar në Kushtetuese edhe Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Selmanaj, pret që shpejtë Kushtetuesja të shpallë aktgjykimin, derisa është shprehur i bindur se Kuvendi dhe Qeveria si nismëtare ka shkelur rëndë Kushtetutën, duke cenuar pavarësinë e këtij institucioni.
“Jemi të bindur për argumentet që i kemi ofruar, jemi të bindur se do të triumfojë argumentimi kushtetues”, tha tutje Selmanaj, derisa tha se si deputetë opozitarë janë aty për t’u kujdesur që t’i ndalin siç i quajti ai ‘iniciativat e mbrapshta të Qeverisë Kurti’.
“I kemi thënë mos u sillni kështu, kanë vendosur të kenë sjellje arbitrare e si pasojë e sjelljeve të tilla sot Këshillin Prokurorial dhe pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit e kemi vakant. Ka 7 muaj që nuk kemi Kryeprokuror të Shtetit për shkak të qasjes së papranueshme që kjo qeveri ka ndaj shumë proceseve dhe institucioneve në Kosovë”, nënvizoi Selmanaj.























