Osmani në Vjenë: Austria, partner strategjik i Kosovës|Foto
J.Musliu/RTKlive
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në një vizitë të paparalajmëruar në Austri.
Në një postim në llogarinë e saj në Facebook, presidentja deklaroi se pas vizitës zyrtare të vitit të kaluar, sot u prit sërish në një takim pune nga presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, në pallatin Hofburg në Vjenë.
“Për të vazhduar diskutimet për partneritetin strategjik në mes të dy shteteve tona”, deklaroi presidentja Osmani, duke shtuar se në bisedë, është potencuar vendosmëria e përbashkët për ta thelluar bashkëpunimin dhe koordinimin.
“Duke kontribuar bashkërisht për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në këtë kohë kritike për Evropën”.
Ajo deklaroi se presidentin Van der Bellen e uroi për rizgjedhjen e tij në krye të shtetit.
“I shpreha vendosmërinë tonë të punojmë drejt hapjes së kapitujve të rinj të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Austrisë”, deklaroi presidentja e Kosovës.
“Jemi mirënjohës për përkrahjen e palëkundur të Austrisë për rrugën euroatlantike të vendit tonë”.



























