Votohet në parim buxheti 3.2 miliardësh për vitin 2023
BKT
Foto : Mimoza Kusari Lila /Facebook
Lajme

Votohet në parim buxheti 3.2 miliardësh për vitin 2023

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

(E plotësuar) Pas një debati të gjatë, Kuvendi i Republikës ka votuar në parim buxhetin për vitin 2023.

64 ligjvënës i thanë po në parim Projektligjit për ndarjet buxhetore, derisa deputeti i Vetëvendosjes, Fatmir Humolli votoi kundër e opozita nuk mori pjesë fare në votim.

Projektbuxheti për vitin 2023 parashihet të jetë 3.2 miliard euro.

Ndërkohë deputetët në Kuvend do të kthehen sërish të premten nga ora 13:00, aty ku pritet të votohet në parim Projektligji për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.

Gjithashtu në po këtë seancë do të shqyrtohet propozim-rezoluta për gjendjen në sektorin e shëndetësisë sikurse që do të shqyrtohen rekomandimet lidhur me Raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2021, dhe rekomandimet lidhur me Raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për vitin 2021.

Kica Xhelili: Me buxhetin e reduktuar, RTK-në po doni ta mbyllni

Valbona Thaçi dhe Afet Bela / RTKlive

Ajo tha se reformat janë të vështira dhe marrin kohë.

“Dhe ju e dini se sa rezistencë dhe zhurmë u bë kur RTK anuloi me të drejtë, për herë të parë në historikun e saj, kontratat e kundërligjshme mbi vepër. RTK tashmë ka anuluar 260 kontrata të kundërligjshme, pra në kundërshtim me ligjin për prokurim publik”, tha Kica Xhelili.

Ajo tha se një pjesë e madhe e kontratave të anuluara i kanë takuar edhe njerëzve që kanë punuar shumë më shumë se këta punëtorë që sot janë të rregullt, jo të gjithë por disa nga ata.

“Derisa sot kemi rreth 40 milionë euro investime kapitale për kompani publike të cilat as potencialisht nuk e kanë rifilluar, e as filluar ristrukturimin e koorporativ, RTK që për herë të parë po e dëshmon kursimin e parasë publike, ju po i përgjigjeni me buxhet të reduktuar karshi buxhetit që e kishte bordi i kaluar, i cili la aq shumë borxhe të cilat sot po e ngulfatin bordin e ri”, deklaroi ajo.

Madje, Kica-Xhelili kishte edhe vërejtje më të mëdha në këtë rast.

“Nëse ju vlerësoni që RTK duhet të mbyllet, atëherë thoni publikisht, por e thoni që ta dëgjojnë të gjithë, sepse me këtë buxhet të cilin i keni ndarë, RTK-së më të gjitha borxhet që i ka, i bije tërthorazi se ju e shihni RTK-në si diçka që duhet ta mbyllni, me reduktim të buxhetit”, tha ajo.

Kuvendi po shqyrton Projektligjin për buxhetin e vitit 2023

(E plotësuar, ora 15:09) Kuvendi i Kosovës po bën shqyrtimin në lexim të parë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023.

Murati: Projekt-buxheti hap tutje drejt realizimit të programit  qeverisëses

Ministri i Financave dhe Transfereve Hekuran Murati, tha se projekt-buxheti përbën një hap tutje drejt realizimit të programit qeverisëses, por edhe elektoral me të cilin kanë garuar. No description available.

Ai tha edhe për të hyrat që janë në nivel rekord por edhe te shpenzimet gjë që si rrjedhojë e këtyre të hyrave të rritura  na mundësohet që përshtatim edhe shpenzimet për kundër faktit që duhet të kthehemi në rregullën fiskale në kufizimin e deficitit prej 2% për vitin e ardhshëm

(E plotësuar, ora 12:02) Kuvendi i Kosovës po bën shqyrtimin në lexim të parë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023.

Bajrami: Ky është Projekt-Buxheti më jo transparent në historinë e Kuvendit

Deputetja Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK),  tha se sot kur po e shqyrtohet në lexim të parë projektbuxheti, për ndarjet buxhetore  port vitin 2023, ajo çka na bije në sy është se ky është buxheti më jo transparent ndonjëherë që ka ardhur në historinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës. No description available.

“Duke pasur parasysh faktin që plot 271 milionë euro janë të ndara në Ministrinë e Financave dhe Transfereve, si kontigjenca dhe fonde për ringjallje ekonomike, D.mth. fonde pa projekte pa plan. 271 milionë euro të pa alokuara tregojnë mungesën e kapacitetit, vizionit  dhe planit në secilin sektor të kësaj qeverie”, tha ajo.

Mustafa: Qeveria asnjë cent nuk ka paraparë investime në sektorin energjetik

Në emër të Lidhjes Demokratike e Kosovës (PDK), Besian Mustafa, ka kritikuar këtë buxhet. Sipas tij me këtë buxhet nuk ka zgjidhje të problemeve që janë në Kosovë. Mustafa tha se Kosova është në krizë energjetike dhe në vitin 2023 asnjë cent nuk është paraparë për investime në kapacitetet e reja energjetike. Po ashtu ai ka thënë se edhe për shëndetësi nuk ka investime.

Tahiri nga AAK: Ky buxhet reflekton pazotësi

Besnik Tahiri deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës  (AAK), tha se ky buxhet reflekton pazotësi dhe tendence të kontrabandimit, të politikave që e qojnë shtetin në dështim. No description available. “Përmes këtij buxheti e drejta e të hyrave vetanake, që është e drejtë e garantuar me ligj dhe me kushtetutë për menaxhimin që komuna e ka në dorë të vetë i merret për herë të parë në historinë e funksionimit të administratës shtetërore dhe kthehet në menaxhim të centralizuar”, tha Tahiri.

Lekaj nga AAK: Buxheti i 2023 që nuk përputhet me nevojat e qytetarëve

Deputeti Pal Lekaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), tha se para nesh kemi një gjendje ekonomike sociale në Kosovë që tani është futur në krizë, dhe në anën tjetër kemi një buxhet që nuk përputhet me nevojat e qytetarëve dhe të ardhmen e shtetit tonë për vitin 2023. No description available. “Sot është hapur debati për buxhetin e vitit 2023, dhe para nesh kemi një gjendje ekonomike sociale në Kosovë që tani është futur në krizë, dhe në anën tjetër kemi një buxhet që nuk përputhet me nevojat e qytetarëve dhe të ardhmen e shtetit tonë për vitin 2023 shto këtu edhe ankesën e komunave se qeveria po e cenon funksionimin e pushtetit lokal me projekt –ligjin e buxhetit për 2023-ten”, tha Lekaj. Sipas tij Qeveria ka ndërhyrë në pjesën tekstuale të ligjit dhe me këtë cenon pavarësinë financiare të komunave.

Abazi: E pakuptimtë që shteti ynë të vazhdojë të ketë policë që nuk kanë sigurim jetësor

Haki Abazi deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, kritikoi qeverinë dhe kërkoi që disa kategori të trajtohen të veçanta në buxhetin e vitit 2023.

Abazi tha se me sabotimin që ka ndodhur në veri, largimin nga institucionet është e rëndësishme që spektri politik të jetë i unifikuar. No description available.

Ai ka folur edhe për mos sigurimin jetësor për policët e Kosovës “20 vite pas luftës, 14 vite pas pavarësisë është e pakuptimtë që shteti ynë të vazhdojë të ketë policë që nuk kanë sigurim jetësor”, tha ai.

Abazi u tregua kritik edhe për mospasjen e një strategjie për çështjen e energjisë. “Dua të them që është fatkeqësi të miratojmë buxhetin kur s’kemi strategji të energjisë së miratuar”, tha ai.

Ai tha se vazhdon e njëjta situatë të njëjtë me çështjen e energjisë sikur në vitet e kaluara kur në pushtet kanë qenë opozita. “Viti i ardhshëm s’duhet të na gjejë në këtë gjendje. Kemi humbje shumë të mëdha edhe në shfrytëzim edhe shpërndarje, duhet të kalojmë kornizën ligjore të plotë për diversifikimin e energjisë, sidomos nga kapacitetet e energjive të ripërtrishme, nuk ka kuptim që Kosova të mos ketë panele solare në çdo shtëpi e zonë ku është e mundur që të përfitojmë nga energjia e erës dhe diellit”, tha ai.

Lushtaku: Ky buxhet nuk bazohet në zhvillim, por në inflacion

Deputeti Mërgim Lushtaku nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha se buxheti i vitit 2023 nuk bazohet në zhvillim, por në inflacionit. Sipas tij, ky buxhet është rritur për shkak se janë rritur çmimet dhe nuk është që ka të bëj me zhvillimet dhe rritjen ekonomike në vend. “Banka Botërore ka paraparë se vitin e ardhshëm rritja ekonomike nuk do të jetë më shumë se 3.2 %”, tha ai. Lushtaku ka kritikuar qeverinë se edhe komunat janë dëmtuar me këtë buxhet. 

Kusari-Lila:Me buxhetin e 2023 është i implementueshëm Ligji i Pagave

Shefja e Grupit të deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2023, është 3 miliardë e 212 milionë euro dhe është më i larti që ka pasur Kosova ndonjë herë.

Ajo bëri me dije se me këtë buxhet është i implementueshëm ligji i pagave. Sipas saj edhe borxhi publik është përmbajtur me vitin aktual dhe ëshë më i ulëti në rajon. “Ky buxhet është i zhvillimit, i sigurisë, shëndetësisë, arsimit dhe i mirëqenies sociale”, tha Kusari-Lila.

Kurti: Buxheti mbi 3 miliardë euro do të sjellë më shumë zhvillim për Kosovën

Kryeministri Albin Kurti, ka prezantuar në Kuvendin e Kosovës, Projektligjin e vitit 2023, duke thënë se ai sjellë zhvillim për Kosovën.

“Viti i kaluar ishte viti më i suksesshëm në historinë e shtetit tonë për sa i përket të hyrave dhe rritjes ekonomike. Ky vit, me gjithë sfidat dhe krizat globale, vazhdoi trendin pozitiv, dhe na mundësoi të kemi një konsolidim të financave publike. Sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova është prej vendeve të para në mesin e ekonomive në zhvillim në Evropë që ka arritur një sukses të tillë, e që është e referencë e FMN-së për shtetet tjera sa i përket konsolidimit të financave publike. Kjo na vë në pozitë më të favorshme për sfidat që mund të na presin vitin tjetër. Ndërkohë që kemi një projeksion mjaft pozitiv për vitin e ardhshëm fiskal”, tha ai.

Sipas tij buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro, kurse të hyrat buxhetore do të arrijnë vlerën prej 2 miliardë e 884 milionë euro. Me ç’rast kemi ndarë 745 milionë euro në kategorinë “Paga dhe Mëditje”, 493 milionë euro në kategorinë “Mallra dhe Shërbime”, 1 miliard e 98 milionë euro në “Subvencione dhe Transfere” dhe 811 milionë euro në “Shpenzime Kapitale”. Për sa i përket projekteve specifike, ato reflektojnë Programin tonë Qeverisës:

“Kemi shtuar 240 pozita të reja për inspektoratet. Kjo nënkupton më shumë inspektorë të punës që të mbrohen të drejtat e punëtorëve; më shumë inspektorë në shëndetësi që të sigurohet cilësia e shërbimeve; më shumë inspektorë të tregut që të sigurohet mbrojtja e konsumatorit; dhe më shumë inspektorë tatimorë që të sigurohet mbledhja e tatimeve që mundëson ofrimin e shërbimeve më të mira publike. Kemi ndarë 296 milionë euro për sektorin e shëndetësisë, më së shumti ndonjëherë që prej shpalljes së pavarësisë. Nga këto, 60 milionë euro janë për barna esenciale, në mënyrë që sigurohemi që spitalet dhe qendrat e mjekësisë familjare janë mirë të furnizuara për të ofruar shërbime ndaj qytetarëve. Rëndësi i kemi kushtuar edhe ndërtimit të infrastrukturës shëndetësore. Rritjen e buxhetit në infrastrukturën shëndetësore e kemi shoqëruar edhe me rritjen e numrit të stafit mjekësor, ku kemi shtuar 400 pozita”, tha ai.

Kurti tha se në linjë me premtimin për zhvillimin e hershëm të fëmijëve, kanë vazhduar linjën buxhetore për ndërtimin e çerdheve, ku për këtë vit kemi buxhetuar 11 sosh. “E njëlloj sikurse në shëndetësi, investimet në infrastrukturë i kemi përcjellë me rritjen e kapaciteteve njerëzore. Kemi shtuar 243 pozita të reja për staf për çerdhet që parashihen të funksionalizohen. Gjithashtu, me këtë projektbuxhet, po e përmbushim, madje duke e tejkaluar atë që në vitin e dytë të mandatit, premtimin tonë për angazhimin e 500 asistentëve për fëmijë me aftësi të kufizuara. Kemi vazhduar mbështetjen për bujqit dhe fermerët tanë. Për vitin 2023, buxheti për ta për herë të parë e kap shifrën 87 milionë euro. Bashkë me mbështetjen nga fondet e jashtme, presim ta tejkalojmë vlerën prej 100 milionë euro, çka edhe ka qenë premtim i yni”, tha ai.

Në kontekstin aktual, Kurti tha se mbështetja në sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes është e rëndësishme. “Andaj kemi shtuar 300 pozita të reja për Policinë, dhe kemi rritur buxhetin për blerje të armatimit modern për ushtrinë tonë. 123 milionë euro parashihet buxheti i përgjithshëm për Ministrinë e Mbrojtës për vitin tjetër. Pra në këtë vit e patëm rritur buxhetin për mbrojtje për përafërsisht 52% krahasuar me vitin e shkuar, ndërkaq në vitin që do të vije, do të jetë edhe 20% përafërsisht më i lartë se sa në këtë vit. Përveçse më i larti ndonjëherë, ai është gati dyfish më i lartë se sa buxheti që patëm trashëguar në vitin 2021, nga 67 milionë në 123 milionë – teksa qeverive të kaluara i janë dashur 10 vjet për ta bërë njëjtën gjë. Në vitin 2011, buxheti ka qenë 35 milionë e më pastaj në vitin 2021, 67 milionë. Shtesat për lehona e për fëmijë që i premtuam, i filluam në kohë kur të gjithë ishin skeptik që ato do të mund të realizohen. Brenda vitit të dytë të qeverisjes, me buxhetin për vitin 2023, po e përmbushim edhe këtë premtim tonin, duke i përfshirë në skemë të gjithë fëmijët nën moshën 16 vjeçare. Për këtë, kemi ndarë buxhet në vlerë prej 60 milionë euro”, tha ai.

Sipas tij kthimi i terminaleve doganore shtetërore ishte gjithashtu njëri nga premtimet. “Përmbushjen e tij e filluam në vitin që po lëmë pas, me hapjen e terminalit doganor shtetëror në Mitrovicë, në hapësirat e ndërmarrjes publike Trepça. Kurse sivjet funksionalizuam terminalin doganor shtetëror në Durrës dhe atë në Podujevë. Kësisoj do të vazhdojmë edhe me terminalin në aeroportin e Prishtinës dhe në Vërmicë, si dhe me terminalet e tjera, për çfarë kemi ndarë gjithsej 6 milionë euro. Kemi buxhetuar përfundimin e rrugëve që tashmë janë në proces për disa vite, si dhe kemi shtuar edhe buxhet për nisjen e zgjerimit të rrugës Prishtinë-Pejë, dhe ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë. Për banimin e përballueshëm, tani që kemi studimin e fizibilitetit të kompletuar, kemi paraparë nisjen e punës vitin që vjen, dhe njëkohësisht kemi filluar procedurat për të siguruar financimin e nevojshëm nga institucionet financiare ndërkombëtare”, tha ai,
Duke shtuar se do të vazhdohet edhe mbështetjen e ndërmarrjeve publike, në rikthimin e tyre në fitimprurëse, ashtu që ato të bëhen kontribuese të zhvillimit ekonomik. Edhe këtë herë, kemi ndarë 40 milionë euro për investime në këto ndërmarrje.

“Pas një viti jashtëzakonisht të suksesshëm në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, buxheti për vitin e ardhshëm i kësaj ministrie do të jetë mbi 57 milionë euro, pra dukshëm më i lartë se sa ai i këtij viti. Për rezervat shtetërore i kemi ndarë edhe 15 milionë euro shtesë për vitin 2023 për të vazhduar mbushjen e tyre, pas ndarjes 10 milionë euro për këtë vit në të cilin ndodhemi. Dhe tani me mbështetjen e Bashkimit Evropian, do t’i kemi edhe 75 milionë euro të tjera që do të shkojnë për mbështetje të qytetarëve për ta tejkaluar krizën energjetike. Kjo vjen shtesë mbi projektet e shumta në sektorin e energjisë që do të fillojnë së shpejti, siç është ai me zgjerimin e ngrohjes qendrore, parkun solar në KEK, e bateritë me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit. Në politikën e jashtme, fokusi i investimit buxhetor këtë vit do të jetë në Diplomaci Publike, Diplomaci Ekonomike dhe mërgatë. Ka edhe shumë projekte e nisma tjera që janë në këtë buxhet, por ka edhe shumë sfida. Megjithatë, bashkërisht, do të duhej që përmes realizimit të Programit Qeverisës, dhe ekzekutimit të mirëfilltë të këtij buxheti, ta lehtësojmë jetën e qytetarëve, ta zhvillojmë ekonominë, dhe ta rrisim punësimin. Jemi të vetëdijshëm për situatën e rëndë ekonomike dhe energjetike, e cila është shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Ky projektbuxhet është menduar që të ju vihet tërësisht në ndihmë juve. Me të vazhdojmë realizimin e zotimeve dhe projekteve tona zgjedhore e qeveritare, e gjithashtu edhe ballafaqimin me krizën aktuale. Kur garuam në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit të kaluar, të vetmen krizë që e kishim para, ishte ajo Covid-19. Me të ardhur në detyrë arritëm që shumë shpejt t’i sigurojmë vaksinat për të. Por, në ndërkohë lindi edhe një krizë e re e cila u shkaktua si pasojë e agresionit ushtarak e invazionit rus ndaj Ukrainës. Inflacioni, kriza energjetike e kriza ushqimore janë këto tri pika kryesore të cilat po diskutohen në të gjitha vendet e botës. Prandaj, të gjitha ato që i përmenda më herët, janë në shërbim edhe të kësaj. Si kabinet qeveritar ne kemi vigjilencën e shtuar që të marrim masa e vendime konkrete sa herë të jetë e nevojshme, për t’ua lehtësuar juve jetën e për t’ua rritur mirëqenien”, tha ai.

Sipas tij me Pakon e Ringjalljes Ekonomike që e filluan në vitin 2021, e vazhduan edhe në vitin 2022, duke ia bashkangjitur edhe Pakon e Përballjes me Inflacionin. “Andaj, të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, këtë mbështetje për fushat e lartpërmendura dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës, që parasheh projektbuxheti për vitin e ardhshëm 2023, ju ftoj që ta mbështesni me votuan tuaj sot”, tha ai.

 

LIVE |Kurti: Qeveria transparente në procesin e dialogut

(E plotësuar, ora 11:00) Kuvendi i Kosovës po vazhdon punimet me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare.

Kryeministri Albin Kurti, tha se dialogu Kosovë-Serbi nuk ka qenë asnjëherë më shumë transparent.

“Që prej rifillimit të tij ne jemi treguar transparent para qytetarëve të Kosovës dhe publikut, kemi treguar gatishmëri për komunikim me partitë opozitare, por kemi treguar kujdes dhe maturi ndaj vet procesit të dialogut duke mos e dëmtuar atë dhe as interesat tona”, tha Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Sipas tij takimet e nivelit të lartë politik, por edhe në nivel të zv.Bislimi kanë qenë publike pas çdo takimi. Ai ka përmendur kronologjinë nga ecuria e dialogut.

Kurti ka folur edhe për marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. “Sa i përket marrëveshjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, apo ‘Zajednicës’, nuk kam përgjigje të re. Marrëveshja e Asosacionit të Komunave me Shumicë Serbe, nuk e kaluar Gjykatën Kushtetuese dhe praktikisht ajo e ka shpallur atë anti-kushtetuese”, tha ai.

LIVE |Seanca e Kuvendit të Kosovës

(E plotësuar, ora 10:50) Kuvendi i Kosovës po vazhdon punimet me deklarimet jashtë rendit të ditës të deputetëve dhe pyetjet parlamentare.

Sot Kuvendi shqyrton buxhetin e Kosovës për vitin 2023

Kuvendi i Republikës së Kosovës, sot me fillim nga ora 10:00, do shqyrtojë në lexim të parë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023.

Ndryshe Projektbuxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2023, është në vlerë 3 miliardë e 212 milionë euro, raporton RTKlive.

Qeveria e Kosovës, ka vlerësuar se ky është buxhet i zhvillimit të vendit, ndërsa opozita ka kritikuar qeverinë për buxhetin e vitit 2023.


MË SHUME NGA Lajme