Abdixhiku në SHBA: Bondsteel të jetë bazë e përhershme ushtarake në Kosovë
M.Shefkiu/RTKlive
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka takuar kongresmenin demokrat Dutch Ruppersberger, me të cilin kanë diskutuar që baza e trupave amerikane Bondsteel, të jetë bazë e përhershme ushtarake në Kosovë.
Në një status në rrjetin social facebook, Abdixhiku ka shkruar se edhe kongresmeni Ruppersberg ka shprehur përkushtim për rrugëtimin e Kosovës drejt familjes euroatlantike.
“Në Kongres u prita dhe nga kongresmeni demokrat Dutch Ruppersberger. E urova për rizgjedhjen në mandatin e ri. Përvoja e tij disadekadëshe në politikën amerikane është vlerë e jashtëzakonshme. Roli i tij në administratën e tanishme dhe simpatia e përhershme për Republikën e Kosovës është mundësi e madhe për ne”, ka shkruar Abdixhiku.
Shndërrimi i bazës amerikane të Bondsteel-it në bazë ushtarake të përhershme, sipas kryetarit të LDK-së, ishte temë e përbashkët e diskutimit.
“Kongresmeni Ruppersberg ka përkushtim të madh për rrugëtimin e Kosovës drejt familjes euroatlantike. Kontributi i tij në këtë drejtim do të jetë jetik për të ardhmen e sigurisë së popullit tonë. Kongresmenin Dutch Rulpersberger e ftova dhe për vizitë në Kosovë”, ka shkruar Abdixhiku.
























