Samiti BE-Ballkan Perëndimor me 6 dhjetor në Tiranë, RTKlive sjell temat
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Samiti BE-Ballkan Perëndimor me 6 dhjetor në Tiranë, RTKlive sjell temat

Jeton Musliu/RTKlive

Tirana do të jetë mikpritëse e samitit të radhës mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Me 6 dhjetor në kryeqytetin shqiptar, do të zbresin për pjesëmarrje, liderët e shteteve të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Bosnje e Hercegovinës si dhe vendi nikoqir, Shqipëria.

Aty do të jenë edhe drejtues të lartë të Bashkimit Evropian, ndonëse ende agjenda nuk është përcaktuar në tërësi, pasi e njëjta do të jetë gati një javë para mbajtjes së tij.

Sidoqoftë, në përgjigje për RTKlive, Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, ka dhënë sqarime për temat që do të diskutohen në këtë samit.

“Kur bëhet fjalë për samitin mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor,  pritshmëritë janë të shumëfishta”, deklarojnë nga ky Këshill.

“Nga perspektiva e BE-së, temat janë agjenda gjelbër për Ballkanin Perëndimor, siguria e energjisë dhe ushqimit, të rinjtë, e deri te luftimi i dezinformimit dhe kërcënimet kibernetike”.

Sidoqoftë, ndër temat e tjera në këtë samit, sipas sqarimit të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, e që nuk duket të jetë më pak e rëndësishme, është  përshpejtimi i zbatimit të planit të veprimit të përbashkët rajonal.

 “Shpresojmë të shohim fillimin e procesit të uljes së tarifave të roamingut midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor”, deklarojnë nga ky Këshill për RTKlive.

Mbajtja e samitit BE-Ballkan Perëndimor në Tiranë me 6 dhjetor, u njoftua në fund të punimeve të samitit të Procesit të Berlinit, mbajtur në fillim të nëntorit në kryeqytetin gjerman.


MË SHUME NGA Lajme